Presidenti i KOK-ut: Ky është numri i medaljeve që do të fitojë Kosova në ‘Tokyo 2020’

Presidenti i KOK-ut: Ky është numri i medaljeve që do të fitojë Kosova në ‘Tokyo 2020’

Personalitete të larta shtetërore dhe nderime të shumta u bënë në Gala Mbrëmjen, e organizuar mbrëmë me rastin e 4-vjetorit të pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Gala Mbrëmja mblodhi personalitete të larta shtetërore si kryeministri Ramush Haradinaj, ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi, presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi, si dhe personalitete të tjera të larta nga sporti.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, duke falënderuar Driton Kukën dhe Majlinda Kelmendin për medaljen e artë që i sollën Kosovës, theksoi se pranimi i Kosovës katër vjet më parë në arenën ndërkombëtare të sportit u hapi rrugë sportistëve tanë të jenë pjesë e shumë garave ndërkombëtare, duke arritur suksese në beteja dhe sfida.

Insporti.com ka intervistuar kreun e KOK-ut, i cili ka premtuar se Kosova do të kthehet me më shumë se një medalje nga Lojërat Olimpike ‘Tokyo 2020’.

“Kur ishte Tomas Bach (presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar) në Prishtinë, pas pesë muajve që ishim pranuar ai deklaroi se ‘këtu ka lindur foshnja, dhe atë që ne e duam është që kjo foshnje të rritet dhe të bëhet e fortë’. Sot kjo foshnje është 4-vjeçare dhe konsideroj që po merr shtat dhe po rritet shëndetshëm dhe sigurt në hapat e mëtejmë”, tha Besim Hasani në intervistë për Insportin.

“Një komitet olimpik i cili arrin të ketë një medalje të artë olimpike, madje edhe në shumë gara tjera me dhjetëra medalje tjera – të arta, të argjendta dhe të bronzta në kampionate evropiane dhe botërore, por edhe në garat që janë në patronatin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar – padyshim flet se Komiteti Olimpik i Kosovës është në drejtim të mirë, po zhvillohet mirë dhe ka ende çka të tregojë në të ardhmen”, shtoi Hasani.

I pyetur nga Insporti se do a do të ketë më shumë medalje në Olimpiadën e ardhshme, kur kjo “foshnje” do të jetë 6-vjeçare, Hasani tha se “padyshim se pritshmëritë reale janë që t’i kemi së paku dy medalje në Olimpiadën e ardhshme, sepse tashmë i kemi pesë norma olimpike”.

“Ne në Rio kemi shkuar me dy norma olimpike dhe kemi arritur një medalje të artë olimpike, tashmë i kemi pesë norma olimpike, normalisht ende procesi vazhdon, mundet edhe ndonjë tjetër të fitojë normën olimpike – të fitosh normën olimpike do të thotë të jesh në mesin e diku 12 apo 16 individëve më të mirë në botë, dhe të jesh në mesin e 16 vetëve, pak me fat, pak me përgatitje intensive të mira, përgatitje mjeshtërore me programe të mira, e fiton një luftë, dy lufta dhe je në zonën e medaljeve”, tha Hasani.

“Kështu që unë po besoj që prognoza ime që t’i kemi dy medalje në Tokyo 2020 është reale”, pohoi ai.

I pyetur rreth sporteve tjera përveç xhudos, aty ku Kosova ka treguar suksesin më të madh, Hasani tha se “nuk është keq karateja, domethënë është shumë afër medaljeve, nuk ka Grand Prix e kampionate botërore ku ata nuk i kanë nga dy e tri fitore, konkurrenca atje është e jashtëzakonshme por janë afër”.

“Besoj në karate, besoj në boks por mund të befasohemi edhe nga një sport tjetër”, deklaroi i pari i KOK-ut, Besim Hasani. /Insporti.com

Videon mund ta gjeni duke klikuar KËTU