Sezoni në La Liga mund të quhet i mbyllur, sipas presidentit të La Ligas, Javier Tebas.
Lajmi është konfirmuar nga numri një i kampionatit spanjoll, Javier Tebas. Se si do procedohet akoma nuk është vendosur, por ai ka lënë të kuptohet se kampionati elitar i futbollit në Spanjë mund të anulohet.
Vendimi drastik pritet të merret për shkak të përshkallëzimit të situatës nga pandemia Covid-19. Sot në mëngjes rezultuan pozitiv pesë lojtarë të Valencias.
Fillimisht, u lajmërua për vetën një futbollist, e më pas u konfirmuan rastet e tjera. Kështu, La Liga bëhet i pari kampionat i madh që mund të mbyllet para kohe duke befasuar të gjithë.
“Ajo me çfarë po ballafaqohemi tani do t’i japë fund kompeticionit, dhe kjo javë do të jetë e rëndësishme për vendimet në Evropë”, tha Tebas.
“Kam punuar me kontaktet në Itali dhe Gjermani për të tentuar që të barazojmë kalendaret, por kjo është një çështje serioze shëndeti”, ka thënë ai.
Të martën do të zhvillohen bisedime në mes të Federatave evropiane dhe UEFA-s për të vendosur se si do të zgjidhet pjesa tjetër e sezonit 2019/20.
UEFA ka ftuar anëtarët e 55 federatave në të gjithë Evropën që të marrin pjesë në takim përmes video-konferencës, për të diskutuar zhvillimet në vazhdim me përhapjen e koronavirusit.
Këtë të martë pritet të merren vendime të mëdha rreth kampionateve si dhe rreth EURO 2020, që pritet të shtyhet. /Insporti.com/