Presidenti ia vazhdon automatikisht mandatin kryetares së KQZ-së

Presidenti ia vazhdon automatikisht mandatin kryetares së KQZ-së

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, do të mund t’i organizojë edhe zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor 2017.

Edhe pse Dakës i ka skaduar mandati, Zyra e Presidentit është kujdesur që mandati i saj të vazhdohet automatikisht.

“Mandati i Kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është zgjatur automatikisht edhe 90 ditë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit dhënë për Arbresh.info.

Zyra e Presidentit thotë se vazhdimin e mandatit të saj e ka bazuar në ligj.

“Bazuar në Nenin 61.3 (e) të Ligjit nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, pavarësisht nga pika (d) e këtij paragrafi, mandati që përfundon nëntëdhjetë (90) ditë ose më pak para zgjedhjeve ose deri 90 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, automatikisht zgjatet edhe për 90 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore”, thuhet më tej në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Për më tepër, mandati i kryetares së KQZ-së, Valdete Daka pati përfunduar me 16 qershor, 5 ditë pas  zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend.