fbpx

Presidenti Trump kërcënon me vendosje të taksave të reja ndaj mallrave kineze

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump kërcënoi të hënën se do të vendosë tarifa të tjera ndaj mallrave të importuara nga Kina, me vlerën prej 325 miliardë dollarëve, nëse presidenti kinez Xi Jinping nuk angazhohet në bisedime të reja tregtare me të këtë muaj.

Presidenti Trump kërcënon me vendosje të taksave të reja ndaj mallrave kineze

Trump i tha rrjetit televiziv CNBC, se ai pret të takohet në qershor, me zotin XI në Osaka, të Japonisë, në takimin e G-20-ës, udhëheqësve të ekonomive më të mëdha në botë, që mbahet më 28- 29 qershor, por Pekini nuk e ka konfirmuar publikisht takimin. Presidenti Trump tha se do t’i vendoste tarifat e reja, përveç tarifave që ai tashmë ka vënë ndaj eksporteve kineze me vlerën prej 200 miliardë dollarëve, nëse zoti Xi e anashkalon takimin. “Unë mendoj se ai do të vijë në takim,” tha zoti Trump. “Pritet që ne të takohemi.” Udhëheqësi amerikan u shpreh se: “Kina dëshiron shumë të kemi një marrëveshje, më shumë se sa unë.”

Uashingtoni e ka akuzuar Pekinin se nuk e ka mbajtur fjalën, për çështje për të cilat të dyja palët kishin rënë më parë dakord, por Kina e ka hedhur poshtë këtë.

Ministria e Jashtme e Kinës tha: “Ne nuk duam një luftë tregtare, por ne nuk kemi frikë të përfshihemi në të. Nëse SHBA janë të gatshme që të ketë konsultime në pozita të barabarta, dera jonë është e hapur. Por në se ai këmbëngul t’i shkallëzojë tensionet, ne do të përgjigjemi me vendosmëri dhe këmbëngulje. ”

Në takimin e ministrave të Financave të G-20-ës në Fukuoka, të Japonisë gjatë fundjavës, u tha se konfliktet tregtare dhe gjeopolitike po rrezikojnë rritjen e ekonomisë globale, por me këmbënguljen e Shteteve të Bashkuara, u hoq një thirrje për ” të njohur nevojën urgjente për zgjidhjen e tensioneve tregtare”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi javën e kaluar se ngërçi i vazhdueshëm mes SHBA-së dhe Kinës për çështjen e tarifave mund ta ulë rritjen e ekonomisë globale në vitin 2020 me 0,5 për qind.