Presidenti i UEFA-s zotohet për përkrahje të futbollit kosovar

Presidenti i UEFA-s zotohet për përkrahje të futbollit kosovar

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, priti në takim presidentin e UEFA-së, Aleksander Ceferin, i cili po viziton Kosovën.

Të pranishëm në takim ishin edhe ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, zyrtarë të tjerë të UEFA-s dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Kryeministri Mustafa e falënderoi presidentin e UEFA-s për përkrahjen gjatë anëtarësimit por edhe mbështetjen e madhe që UEFA po vazhdon të jap për Kosovën, njofton Zyra e Kryeministrit.

“Po ashtu, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë për përkrahjen e futbollit, konkretisht për vazhdimin e trajtimit me prioritet të investimeve në infrastrukturën sportive, në infrastrukturën ligjore, fuqizimin e sportit dhe përkrahjen e drejtpërdrejtë për futbollin e Kosovës”, thuhet në komunikatën për media të Qeverisë.

Presidenti i UEFA-së, Aleksander Ceferin, shprehu përkrahjen e mëtejshme të UEFA-s për futbollin e Kosovës edhe në të ardhmen. Ai vlerësoi, po ashtu, punën që institucionet e Kosovës po bëjnë në rregullimin e infrastrukturës sportive dhe në përkrahjen e futbollit duke premtuar mbështetje konkrete të UEFA-s.