Presidentin vëlla, kryeministrin armik – Raportet e Erdoganit me dy udhëheqësit kosovar

Presidentin vëlla, kryeministrin armik – Raportet e Erdoganit me dy udhëheqësit kosovar

Raportet mes Kosovës dhe Turqisë kanë filluar të afrohen zyrtarisht pasi Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe Turqia ishte një nga vendet e para që e njohu shtetësinë. Kësisoj, Recep Tayyip Erdogan dhe Hashim Thaçi kanë zhvilluar një seri takimesh në nivel të përfaqësuesve të dy shtetve, që kanë përfunduar në marrëveshje të majme bizensore mes dy vendeve.

Koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës dhe shitja e rrjetit të distribucionit të energjisë elektrike në Kosovë, iu dhanë kompanive turke, madje pronë e dhëndrit të Erdoganit.

Gjithë ky afrim mes dy vendeve e sidomos mes Thaçit dhe Erdoganit ka dhënë rezultate të tjera investuese sikurse investimet milionëshe në fushën e trashëgimisë kulturore përmes organizatës shtetërore TIKA, por gjithashtu ka prodhuar edhe kërkesa të Erdoganit ndaj Thaçit për të mbyllur shkollat që janë pjesë e Lëvizjes së Fetullah Gulen, imamit kundërshtarë politik i Erdoganit që jeton në SHBA.

Por përkundër që kërkesat e Erdoganit për Kosovën për mbylljen e shkollave gylenistave hasën në vesh të shurdhër nga autoritet e Kosovës, Erdogan dhe Thaçi krijuan edhe raporte vëllazërore. E quajtën njëri-tjetrin vëlla.

Në një takim të bujshëm të vitit 2013, kur Erdogan vizitoi edhe Prizrenin një qytet i banuar edhe me qytetarë të nacionalitetit turk, Erdogan dhe Thaçi e kishin quajtur vëlla njëri tjetrin. Thaçi si kryeministër në atë kohë, ishte parë edhe për herë të parë duke u lutur në Xhaminë “Sinan Pasha” në Prizren, krah për krah me Erdoganin.

“Kulturat tona mund të jenë të ndryshme por ne i përkasim të njejtës tokë. Ne jemi vëllëzër, kemi një histori, kulturë e civilizim të përbashkët”, kishte thënë Erdogan në vizitën e tij të fundit në Kosovë.

Madje në deklaratën e tij të fundit në Prizren, kishte dhënë një deklaratë që nxiti reagime por që shpërfaqi afërsinë mes dy liderëve.

“Mos harroni, Turqia është Kosovë, Kosova është Turqi”, kishte thënë Erdogan.

Por teksa Erdogan trashi vëllazërinë me Thaçin edhe si president, në vitin 2018, Erdogan krijoi një armiqësi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Gjithçka ndodhi kur gjashtë shtetas turq u ekstraduan në Turqi me kërkesë pikërisht të Erdoganit, si të dyshuar që janë pjesë e Lëvizjes së Fetullah Gylenit. Kryeministri Haradinaj kërkoi lirimin nga detyra të shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe ministrit të Punëve të Brendshme duke e cilësuar arrestimin e shtetasve turq si një veprim jo-ligjor.

Kjo nxiti reagimin e Erdoganit, i cili kritikoi veprimin e  Haradinajt si një pikëllim.

” “Agjencia Turke e Inteligjencës, me një operacion në Kosovë ka kapur gjashtë përfaqësues të Gylenit. Por, kam një pikëllim. Kryeministri i Kosovës i largoi nga detyra personin në krye të inteligjencës dhe ministrin e Brendshëm. Unë tani pyes kryeministrin e Kosovës: Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grusht shteti Republikës së Turqisë?”, ka thënë Erdogan.

Madje Erdogani përdori shprehjen “vëlla” që e kishte përdorur deri tash kur kishte folur për Thaçin, por për ta sulmuar Haradinajn.

“Si mund t’i ushqesh këta njerëz që kanë bërë një tentativë për grusht shteti ndaj Turqisë e cila mirëpret Kosovën si një vëlla. Do të japësh llogari edhe t’i për këtë. Vëllezërit e mi kosovarë nuk i japin kredibilitet një kryeministri si ti. Vëllezërit e mi kosovarë, kosovarët që i njoh dhe i di, do të kërkojnë llogari prej teje për këtë. Unë e di edhe këtë”, tha Erdogan.

“Është miku, vëllai ynë kushdo që shkollat e FETO-s ia dorëzon Fondacionit turk Maarif, kush mbyll strehët e tyre të së keqes me pamjen e institucioneve të shoqërisë civile dhe kush i largon agjentët e tij nën pamjen e biznesmenit”, është shprehur Erdoğan.

Erdogan – Haradinajt: Ke bërë një gabim historik

Por kryeministri Haradinaj i reagoj Erdoganit, gjithashtu duke përdorur fjalën “vëlla”.

Haradinaj ka thënë se shqiptarët nuk e kanë në traditë të ndërhyjnë në punët e shtëpisë të dikujt tjetër.

“Kosova dhe unë s’kemi hyrë në punët e brendshme të Turqisë, as në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen, por po ashtu punët tona të shtëpisë nuk do të mund t’i bëjë dikush në emër tonë në Kosovë, kemi me i bërë vetëm ne kur i bëjmë ne. Këtë le ta dinë të gjithë”, ka thënë Haradinaj duke i reaguar Erdoganit.

Për vëllazërinë turko-shqiptare, Haradinaj kishte folur edhe kur kishte ndodhur një tentim ushtarak për ta rrëzuar Erdoganin.

“Jo nuk e kam vëlla. Unë jam shqiptar, mund ta kem mik dhe partner, por vëlla jo”, kishte thënë Haradinaj.

Kësisoj, raportet Turqi-Kosovë janë zhytur në raporte krejtësisht të kundërta mes presidentit dhe kryeministrit në raport me “Sulltanin e Turqisë”, presidentin, Recep Tayyip Erdogan./Insajderi.com

Haradinaj i kundërpërgjigjet Erdoganit