Presidentja takon kryediplomatin kroat, bisedojnë për liberalizimin e vizave

Presidentja takon kryediplomatin kroat, bisedojnë për liberalizimin e vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryediplomatin kroat, Gordan Grilc Radman, ku është diskutuar edhe për liberalizimin e vizave, njofton Insajderi.

Në takim, marrëdhëniet ndërmjet dy popujve dhe shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme që nga periudha e viteve të 90-ta e deri më sot, ndërkohë që të dy palët kanë shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit në aspektin bilateral dhe mulitilateral.

Presidentja Osmani u njoftua se kërkesa e saj më 15 prill 2021 për një donacion simbolik të vaksinave kundër COVID-19 nga Kroacia ka marrë përgjigje pozitive, ndaj sot Ministri Grlić Radman solli lajmin e mirë për donacion prej 10 mijë vaksinash për qytetarët tanë.

E para e shtetit gjithashtu theksoi se procesi i dialogut me Serbinë nuk duhet ndërlidhur me liberalizimin e vizave, ngase sipas saj Kosova tashmë ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash, pavarësisht se ka pas dyfish kritere më shumë se sa vendet e tjera. Osmani ka kërkuar mbështetjen kroate në këtë proces dhe Mininstri Grlić Radman rikonfirmoj mbështetjen e Kroacisë.

“Kosovës duhet t’i jepet liberalizimi i vizave menjëherë, sepse Kosova i ka plotësuar kriteret ndërkaq BE-ja duhet ta mbajë premtimin e jo ta konsiderojë liberalizim si peng të procese të tjera”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, zonja Osmani ka thënë se Kosova dhe Kroacia kanë shumë çështje që i lidhin, ndaj në këtë kontekst ka përmendur numrin e përafërt të personave të zhdukur me dhunë nga regjimi serb gjatë luftërave të viteve të 90-ta, duke shtruar nevojën për bashkëpunim konkret për zbardhjen e fatit të tyre.

Ndërkaq ministri për Çështje Evropiane, Radman ka potencuar se shteti i tij e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane, sikurse edhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Teksa Presidentja e ka falënderuar ministrin Radman për ndihmën, duke u angazhuar që bashkëpunimi të shtrihet edhe në sferën e partneritetit strategjik me theks të posaçëm në sferën e mbrojtjes. /Insajderi.com