Presidentja takohet me Borrellin, flasin për dialogun e vizat

Presidentja takohet me Borrellin, flasin për dialogun e vizat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Dialog dhe Siguri, Josep Borrell.

Aty biseduan për integrimet dhe reformat e nevojshme në këtë rrugë të Kosovës.

“Lidershipi i ri i vendit ka prioritet reformat e nevojshme për ta çuar përpara procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian dhe në NATO. Ne kemi treguar gatishmëri të marrim pjesë në dialog, por në një proces të përgatitur mirë, i cili do të rezultojë me marrëveshje përfundimtare për njohjen e ndërsjellë dhe do ta respektojë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës”, tha Osmani.

“Faza e re e dialogut, në të cilën po hyjmë duhet të udhëhiqet nga parimi i trajtimit të barabartë të palëve dhe të sigurojë se do t’i përfshijë çështjet të cilat janë në interes të qytetarëve tanë”, ka potencuar ajo.

Osmani po ashtu foli për marrëveshjet që Serbia nuk i ka zbatuar të arritura në Bruksel, si dhe për ngecjen e liberalizmit të vizave.

Ndërsa, Borell, ndërkaq, e njoftoi Presidenten Osmani me përgatitjet e BE-së për procesin e dialogut dhe shprehu besimin se procesi i nisur do të vazhdojë, për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme mes dy vendeve. /Insajderi.com