Presioni amerikan – vetëm Nisma i qëndron besnike Haradinajt

Presioni amerikan – vetëm Nisma i qëndron besnike Haradinajt

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka përsëritur edhe sot kërkesën ndaj Kosovës lidhur me taksën e vendosur ndaj Serbisë për 100%. Në tërë këtë situatë të krijuar deri më tash besnike kryeministrit, Ramush Haradinaj i ka qëndruar vetëm Nisma Socialdemokrate.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli është deklaruar për kërkesën e SHBA-ve duke thënë se Kosova duhet t’i bindet kërkesës së SHBA-ve, shkruan Insajderi.

Në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, Pacolli ka thënë se do të bisedojë me kryeministrin Ramush Haradinaj për mundësinë e përgjigjes pozitive ndaj SHBA-së.

Ide të ngjashme sikurse të Pacollit, ka pasur edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi. Ai ka thënë se kërkesa e SHBA-ve duhet të shqyrtohet seriozisht.

“Nëse marrim një kërkesë, qoftë edhe ultimatum, nga partnerët tonë, duhet ta shqyrtojmë, në kuptimin e partneritetit”, është shprehur Krasniqi. “Por, s’do të thotë se duhet të hiqet”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë po ashtu se “taksa është në fuqi. Dhe, taksa si e tillë vazhdon ta ketë efektin e vet”. “Është jashtëzakonisht inkurajuese që ka pasur mbështetje pothuajse 100 për qind”, ka deklaruar Krasniqi.

Në anën tjetër mbështetje kryeministrit i ka dhënë deri më tani vetëm kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

“Vendimi (s’ka personalizim të vendimeve) për taksën është vendim politik i votuar në qeverinë e Kosovës dhe qeveria e Kosovës merr përgjegjësi për atë punë dhe ne i qëndrojmë prapa kryeministrit tonë, për çfarëdo vendimi që ka marrë e që merr dhe që është në fuqi”, ka thënë Limaj.

“Sikurse që e këshillojmë kryeministrin dhe e ndihmojmë për veprimet që duhet të merren në të ardhmen- pra kjo është detyra e jonë e funksionimit”, ka deklaruar ai.

Limaj po ashtu ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka problem me SHBA-të dhe me BE-në lidhur me kërkesat e tyre për klimë të bisedimeve si për dialog ashtu edhe për taksë. Ka kërkuar nga Serbia që t’i ndalë veprimet armiqësore.

“Nuk kemi problem me SHBA-të ata dhe BE-në të cilët kërkojnë të krijohet një klimë e bisedimeve për dialog dhe taksën e shohin si një nga problemet pengesë e fillimit të bisedimeve – këtu kemi mirëkuptim”.

“Sa herë Serbia ka krijuar klimë për të biseduar dhe nëse hymë dhe i nënshtrohemi ultimatumeve nuk do të krijohet klima për të cilën po presim për të filluar një dialog normal e cila do të rezultonte me përmbylljen e marrëveshjes”.

“Duhet të krijohet klimë e dyanshme – Serbia duhet t’i ndalë veprimet e veta armiqësore në drejtim Kosovës dhe ta shpreh vullnetin për t’u ulur dhe për të gjetur marrëveshjen”, ka deklaruar Limaj.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ka njoftuar sot se pozicioni amerikan nuk ka ndryshuar në lidhje me taksen, duke pohuar se SHBA-të në vazhdimësi kanë kërkuar nga udhëheqësit kosovarë ta pezullojnë menjëherë taksen për produktet serbe dhe ato të Bosnje e Hercegovinës.

“Pozicioni ynë mbi taksen nuk ka ndryshuar. SHBA-të në vazhdimësi kanë kërkuar nga udhëheqësia kosovare ta pezullojnë menjëherë taksen për produktet serbe dhe ato të Bosnje e Hercegovinës. Ashtu siç kemi thënë edhe më parë, nuk shohim se Kosova përfiton diçka nga kjo masë. Fuqishëm bëjmë thirrje që të rishikohet fokusi thelbësorë i interesit të Kosovës – e që është e ardhmja evropiane dhe normalizimi i raporteve me Serbinë”, thuhet në deklaratën e kësaj ambasade./Insajderi.com