Pretendon se padrejtësisht ishte larguar nga puna, paditësja kërkon nga BPB-ja kthimin në punë

Pretendon se padrejtësisht ishte larguar nga puna, paditësja kërkon nga BPB-ja kthimin në punë

Me pretendimin se në kundërshtim me ligjin dhe pa paralajmërim ishte larguar nga puna, paditësja Besarta Hasani, në vitin 2014, kishte ushtruar padi ndaj Bankës Për Biznes (BPB), për kthimin në vendin e saj të punës.

Lidhur me këtë rast, të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca përgatitore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e së premtes është mbajtur në mungesë të përfaqësuesit të palës së paditur, për të cilin gjykatësi Enver Shabanaj tha se ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e ka arsyetuar.

Përfaqësuesi me autorizim zëvendësues i paditëses, avokati Mile Markoviq, ka deklaruar se qëndron pranë padisë dhe kërkesës së saj.

Ai ka kërkuar nga gjykata që padia të aprovohet si e bazuar dhe të detyrohet e paditura që paditësen ta kthej në vendin e saj të punës.

Ai ka kërkuar të dijë nëse është punësuar ndonjë person në pozitën që qenë e punësuar paditësja, pas largimit të saj nga puna.

Por, gjykatësi i rastit Enver Shabanaj, tha se duhet të jetë i pranishëm përfaqësuesi i të paditurës për tu përgjigjur në këtë pyetje.

Gjykatësi Shabanaj tha se duhet t’i jepet mundësi palës së paditur të përgjigjet në këtë pyetje, prandaj edhe seanca e së premtes është shtyrë deri më 25 nëntor 2019, nga ora 10:00.

Sipas padisë së ushtruar më 19 shkurt 2014, paditësja Hasani, po kërkon nga Banka Për Biznes, që ta kthej në vendin e saj të punës, pasi pretendon se në kundërshtim me ligjin dhe pa paralajmërim ishte larguar nga puna.

Siç thuhet në padi, paditësja kishte lidhur kontratë pune me të paditurën që nga viti 2008, për kohë të pacaktuar, në vendin e punës sporteliste.

Në padi thuhet se e paditura pa paralajmërim, me vendimin e datës 30 dhjetor 2013, asaj ia kishte ndërprerë marrëdhënien e punës.

Bazuar në padi, kundër këtij vendimi paditësja kishte ushtruar ankesë, por siç thuhet në padi, e njëjta nuk ishte përgjigjur.

Prandaj, me anën e kësaj padie, paditësja po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohet si e bazuar dhe të detyrohet e paditura që ta kthej në vendin e saj të punës.  /BetimipërDrejtësi