Prezantohet në Londër projekti i konservimit të Bibliotekës Kombëtare

Prezantohet në Londër projekti i konservimit të Bibliotekës Kombëtare

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Fondacioni i Arkitekturës në Kosovë morën pjesë në seminarin ‘Keeping it modern’ të organizuar nga Getty Foundation në bashkëpunim me 20th Century Society, i cili u mbajt në ambientet e Kolegjit Mbretëror në Londër, përcjellë KultPlus.

Seminari kishte për qëllim takimin e përfaqësuesve të projekteve përfituese me ekspertë të fushës së konservimit për të shkëmbyer ide lidhur me projektet dhe rëndësinë e konservimit të objekteve moderne.
Në mesin e nëntë përfituesve të tjerë të këtij granti, Biblioteka Kombëtare dhe Fondacioni i Arkitekturës prezantuan projektin e hartuar gjatë këtij viti- analizën që i është bërë objektit dhe nevojës për ndërhyrje me qëllim rikthimin në gjendjen fillestare të objektit dhe inventarit.

Gjate këtij seminari, përfaqësuesit e Bibliotekës dhe të Fondacionit te Arkitekturës u njohën me politikat kryesore të implementimit të projektit, me prioritetet që duhen përmbushur si dhe institucionet e individët kyçë që duhen përfshirë dhe konsultuar për vendimmarrje gjatë përgatitjes së projektit.

Në prezantimin e projektit të Bibliotekës Kombëtare, përveç të tjerash, u paraqit një histori e shkurtër e ndërtimit te Bibliotekës dhe veprimtarisë së saj dhe u fol për punëtorinë që zhvilloi Fondacioni i Arkitekturës në Kosovë për analizën dhe vlerësimin e objektit dhe inventarit në Bibliotekë. Prezantimi i Planit të projektit për Bibliotekën la një përshtypje të jashtëzakonshme tek organizatorët, përfituesit e tjerë të granteve dhe ekspertët e fushës së konservimit. Këta të fundit e cilësuan objektin e Bibliotekës si të rrallë dhe me rëndësi të veçantë. Ata më tutje shpalosën ide dhe propozime për implementimin e projektit pas dorëzimit të planit nga ana e Fondacionit të Arkitektëve dhe për nevojën për përkrahje të kësaj iniciative.

Te pranishëm ne këtë seminar ishin edhe përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës si Brazili, Uruguai, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, India etj., të cilët prezantuan projektet e tyre për konservimin e objekteve përfituese të grantit “Keeping it Modern”. Fondacioni Kosovar i Arkitekturës është njëri nga përfituesit e grantit prestigjioz të Getty Foundation, “Keeping it Modern”, për projektin e konservimit të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”. / KultPlus.com