Prishtina ka 350 mijë banorë

Prishtina ka 350 mijë banorë

ASHAK ka publikuar ditë më parë leksikonin “Leksikoni i vendbanimeve, vëllimi I, Qendrat urbane”, i cili sjell shumë risi për vendbanimet e Kosovës.

Valbon Bytyqi, profesor i gjeografisë, tha se ky leksikon sjellë shumë risi për vendbanimet e Kosovës.

Ai i tha televizionit publik se edhe më parë ka pasur libra të tillë, por ky është një libër gjithëpërfshirës. “Është bërë nj studim interdisiplinar dhe ka pasur shumë persona që kanë punuar në të”, tha ai.

Sipas tij në regjistrimet e fundit ka pasur shpërputhje. “Prishtina sipas vlerësimeve tona ka 350 mijë banorë”, tha Bytyqi.

“Leksikoni i vendbanimeve, vëllimi I, Qendrat urbane”, ku përfshihen vendbanimet urbane, është botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe ky projekt konsiderohet ambicioz dhe ai do të pasohet edhe me dy vëllime të tjera, të cilat do të kenë në fokus vendbanimet rurale të Kosovës.

Projekti është vepër kolektive, sepse në të ishin të angazhuar 35 bashkëpunëtorë profesionalë – ekspertë nga e gjithë Kosova, kryesisht gjeografë, historianë, sociologë, ekonomistë, planerë e administratorë komunalë, gjithnjë me grada shkencore ku ishte e mundur. Puna në terren përmes zbatimit të një udhëzuesi-pyetësori, me 50 pyetje mundësoi sigurimin e të dhënave burimore, origjinale për dimensionin fizik, popullativ dhe funksional për vendbanimet, ka sqaruar ai.