Prishtinë: Dy aksidente brenda dy ore në të njëjtin vend – Persona të lënduar, dëmtim të veturave dhe dëme në semaforë

Prishtinë: Dy aksidente brenda dy ore në të njëjtin vend – Persona të lënduar, dëmtim të veturave dhe dëme në semaforë

Dy aksidente trafiku kanë ndodhur sot brenda dy orëve te Qendra e Studentëve në Prishtinë.

Të kontaktuar nga Gazeta Online Insajderi, nga Policia e Kosovës thonë se në njërin nga këto aksidente dy persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa në tjetrin përveç dëmeve materiale, nuk ka pasur dëme edhe në njerëz.

Insajderi ka publikuar pamje nga të dyja aksidentet të cilat kishin ndodhur në kryqëzimin e rrugëve Agim Ramadani, Eqrem Çabej dhe Enver Maloku, ku edhe semaforët nuk ishin në funksion.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Daut Hoxha, ka thënë për Insajderin se aksidenti i parë ka ndodhur rreth orës 10:35, ndërsa i dyti rreth orës 12:10, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim në Emergjenc në QKUK.

“Sot rreth orës 10:35 te semaforat afër Menzës së Studentëve në Prishtinë është shkaktuar një aksident trafiku me lëndime të lehta trupore. Të përfshira në aksident kanë qenë dy automjete. Ndihmë mjekësore nga ky aksident raportohet se kanë kërkuar dy persona dhe pasi kanë marrë trajtimin në Emergjencë në QKUK janë liruar në shtëpi”, ka thënë ai.

 

Ndërkaq, si pasojë e aksidentit të dytë që ndodhi në këtë pjesë, Hoxha thotë se është dëmtuar edhe një semafor.

“Rreth orës 12:10 në kryqëzimin e rrugëve Agim Ramadani, Eqrem Çabej dhe Enver Maloku në Prishtinë është shkaktuar një aksident trafiku me dëme materiale. Njësia policore ka dal në lokacion ku ka bërë fotografimin dhe skicimin e vendit të ngjarjes. Veturat e përfshira në aksident janë VW Sharan ngjyrë e kuqe dhe vetura VW Passat ngjyrë e bardhë. Raportohet se si pasojë e aksidentit është dëmtuar edhe një semafor”, ka përfunduar Hoxha. /Insajderi.com