Prishtinë: Qentë endacakë sulmojnë një grua shtatzënë, reagon Shpend Ahmeti

Ahmeti: Ose na jepni përgjegjësinë Komunave, përgjegjësinë e plotë ose shpallni gjendjen emergjente për ta trajtuar situatën. Kur të kemi viktima, mos të vajtojmë.

Prishtinë: Qentë endacakë sulmojnë një grua shtatzënë, reagon Shpend Ahmeti

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar me një postim në Facebook, pasi një 29 vjeçare u sulmua dhe mori plagë të rënda nga kafshimi i qenve endacakë.

Besnike Beqiraj, u sulmua nga dhjetëra qenë endacak në rrugën “Ibrahim Oruqi” në lagjen “Mati 1” në kryeqytetet.

Ajo derisa po kthehej nga çerdhja ku i kishte dërguar dy fëmijët e saj, me të arritur afër shtëpisë ku jeton, u kafshua nga dhjetëra qen endacak në pjesën e poshtme të trupit, përfshirë edhe barkun ku ajo po mban fëmijën e saj (ajo është në muajin e shtatë të shtatzënisë).

Ajo është dërguar me urgjencë në QKUK ku po merr tretman mjekësorë.

I pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, ka shkruar se “situata me qentë endacakë është alarmante në çdo Komunë të Republikës së Kosovës dhe se “edhe njëherë javën e kaluar të gjitha Komunat përmes Asociacionit në takim urgjent me AVUK kërkuam strategji emergjente për dalje nga kriza por hasëm në vesh të shurdhër thua se është thjeshtë çështje administrative”.

Sipas Ahmetit, “AVUK ka marr buxhet 1.3 milion euro për krejt Kosovën për këtë çështje por sot jemi më keq se që kemi qenë”.

“Përkundër qindra mijëra eurove të shpenzuara edhe nga Komuna kjo çështje nuk mund të zgjidhet nga komunat veç e veç. Kjo kërkon strategji gjithëpërfshirëse dhe hapa emergjent tani. Sot në Prishtinë është kafshuar një grua shtatzënë”.

Ai ka kërkuar nga presidenti, kryeministri e deputetët që komunave t’u jepen kompetenca të plota në trajtimin e këtij problemi.

“Ose na jepni përgjegjësinë Komunave, përgjegjësinë e plotë ose shpallni gjendjen emergjente për ta trajtuar situatën. Kur të kemi viktima, mos të vajtojmë”./Insajderi.com