Prishtinës nuk ka mbetur tjetër kush t’i shkruajë

Shkruan: Kristaq Xharo

Prishtinës nuk ka mbetur tjetër kush t’i shkruajë

Edhe sot përfaqësuesi amerikan përsëriti qëndrimin, që qeveria kosovare të tërheqë menjëherë vendimin për ‘taksën’. Kërkesa është përsëritur disa herë. Uashingtoni po shpreh habi dhe trishtim. Edhe përfaqësuesi gjerman shprehu kundërshtinë për taksën dhe mbështetje për vazhdimin e dialogut. Përfaqësues të tjerë të vendeve perëndimore kanë shfaqur të njëjtin qëndrim.

Çfarë po ndodh në të vërtetë në raportet e qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë perëndimor, saktësisht ata që i dhanë jetë dhe formë shtetit të Kosovës. Deri pak kohë më parë qarkullonin plotë teori konspirative se pas vendimeve të qeverisë së Kosovës qëndronin me siguri aleatët, përndryshe ishte e vështirë që lëvizjet e fundit të kuptoheshin. Por, perdja e konspiracionit ka rënë nga deklarimet e të dy palëve. E ndërsa në Prishtinë janë mbërthyer në kurthin e taktikave pa alternativa, Serbia dhe Vuçiç ‘të viktimizuar’ po hapin një e nga një dyert e perëndimit.

‘Taksa’ e publikuar si një strategji e guximshme nuk duket se edhe më tej do të jetë e suksesshme. Dhe e ndërmarrë në kushtet e reagimit të shpejtë dhe pa asnjë alternativë tjetër, taksa duket se më shumë se një zgjidhje ka krijuar një situatë të sikletshme veçanërisht me partnerët perëndimorë e në mënyrë të veçantë me SHBA. Mungesa e një “plani B” apo tërheqja e prej saj po frikëson politikanët për t’u përjetuar si një dështim në planin e brendshëm dhe të jashtëm.

Mbetet e rëndësishme të sqarohet nëse qeveria kosovare besonte se vendosja e “taksës 100%” do të arrinte qëllimin strategjik? Pra që Serbia do të njihte Kosovën? Sado efekte çudibërëse të kishte ky veprim do të ishte naive të besohej se kjo do të ndikonte për të plotësuar një qëllim, që tashmë quhet madhor apo edhe strategjik. Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe e tashmja afron aq shumë raste që tregojnë se taksa, embargo, apo kufizimet e tjera ekonomike nuk mund të jenë veç mjete të përkohshme por asnjëherë qëllim në vetvete. Tregtia me Kosovën, sigurisht që zë një vend të rëndësishëm në ekonominë serbe, por jo sa të mendohej që do ta gjunjëzonte atë. Me gjithë ndikimin dhe efektet që taksa ka patur e do të mund të ketë besoj që edhe në Prishtinë e dinë që kjo nuk do të shkojë më tej e aq më tepër të jap efekte strategjike.

Veprimet e politikës në Prishtinë po krijojnë idenë se njohja e Kosovës nga Serbia është më jetike se pozicioni ndaj aleatëve strategjikë. Sigurisht, që njohja nga Serbia është e rëndësishme, por jo domosdoshmërisht jetike. Vonesa në njohje nuk janë vetëm kolaterale për Kosovën. Miqtë dhe aleatët i kanë krijuar të gjitha kushtet që Kosova të funksionojë normalisht, aq sa premisat janë që humbësja e madhe në këtë proces të jetë Serbia.

Aleatët perëndimorë e kanë ndihmuar Kosovën shumë më tepër se mund të kishte bërë edhe me njohjen nga Serbia. Pa njohjen e Serbisë, Kosova mund të funksionojë në çdo kohë dhe përherë. Ndërsa me sjelljen dhe dilemat që ju krijon aleatëve Kosova rrezikon të jetë përherë e sfiduar. Serbia, sigurisht, që është përpjekur për të minuar shtetin e Kosovës, por pa mundur ta ndalojë atë. Por, njohja e Kosovës nga Serbia as mund të jetë e as mund të shihet si jetike. Serbia e konsideron ‘harakiri’ njohjen, por edhe nëse e bën që nesër, kjo shumë pak do të ndryshojë në atë çka Kosova përjeton sot.

Marrëdhëniet me SHBA dhe aleatët e tjerë strategjikë do të jenë përherë jetike. Një shtet si Kosova në konceptin e fuqisë sipas H. Morgenthau është thjesht shtet i vogël. Ashtu është edhe Shqipëria. Në mungesë të fuqisë ekonomike dhe ushtarake, dilemën e sigurisë, në një rajon kaq të ndërlikuar mund ta bazojnë vetëm në aleatë të fuqishëm dhe në aleanca. Është një moment i madh që ti kenë të dyja.

Ajo që vetë ju ka mbetur është ajo çfarë presidenti Trump ju shkruante pak kohë më parë që “..të unifikojnë mendimet për të folur në një zë…” dhe në sinkron me aleatët. Nuk ka asnjë justifikim ndërlikimi i marrëdhënieve me SHBA, fuqitë perëndimore europiane apo NATO-n. Marrëdhëniet me këto aleatë janë marrëdhënie për mbijetesë. ‘Habia’ që tregon SHBA me qëndrimin e qeverisë kosovare është logjike dhe Prishtina nuk ka asnjë minutë kohë për të rikalibruar busullën. Janë SHBA dhe NATO garancitë për të frenuar një miniskenar ukrainas, që Serbia dhe mentori i saj Rusia do ta formatonin edhe në Kosovë. Në mungesë të aleatëve siguria është në dilemë. Raportet e fuqisë do të përmbyseshin, ndaj harmonia me qëndrimin e aleatëve nuk është vetëm e shenjtë por edhe e detyrueshme.

Partitë politike janë shumë të rëndësishme dhe ruajtja dhe zgjerimi i elektorateve mision i tyre, por ato janë të përkohshme e do të mbeten jo më shumë se nivele taktike. Interesat e Kosovës janë shumë më të rëndësishëm, ata janë të përhershëm dhe vetëm ata janë strategjikë. Interesat nuk mbrohen me rapsodë dhe slogane, por me vetëmohim, aleatë dhe aleanca.