Priste ftesë nga Kosova, e “rrëmben” Shqipëria

Priste ftesë nga Kosova, e “rrëmben” Shqipëria

Lista e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e radhës së kombëtares shqiptare të futbollit, ka hequr disa dilema të futbollistëve shqiptarë me origjinë nga Kosova rreth përcaktimit të përfaqësueses.

Njëri prej tyre është mesfushori 28-vjeçar nga Istogu, Azdren Llullaku, i cili në një prononcim për Insajderin para dy javësh deklaroi se priste një ftesë nga përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki.

“Kam filluar besoj mire sezonin e ri me 4 gola ne 7 lojë, kam përvojë në një kampionat të mirë si Rumania dhe mendoj qe jam i gatshëm dhe presë një ftesë”, tha Lullaku para dy javësh. Megjithatë, Llullaku dje pranoi një ftesë nga ana tjetër e kufirit.

Ishte trajneri italian i kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, ai i cili e pa të nevojshëm afrimin e mesfushorit me tipare sulmuese, që luan në radhët e skuadrës Gaz Metan në Rumani, raporton Gazeta Online Insajderi.

Momentalisht, Llullaku është golashënuesi më i mirë në kampionatin e Rumanisë, me 8 gola të shënuar në 10 paraqitje.

Llullaku ka qenë i ftuar nga Gianni De Biasi në miqësoren e kombëtares shqiptare ndaj Armenisë, por që nuk u inkuadrua për asnjë minutë në këtë takim.

De Biasi ka publikuar sot listën zyrtare të futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet kundër Lihtenshtejnit dhe Spanjës. Ajo që bie në sy është padyshim afrimi i Eros Grezdës dhe Liridon Latifit, të dy debutues me kuqezinjtë, si dhe lënia jashtë listës e Shkëlzen Gashit, edhe pse ky i fundit po kalon një moment të shkëlqyer në ligën amerikane të futbollit – MLS – me Colorado Rapids.

Grezda dhe Latifi po ashtu janë dy futbollistë të rritur në futbollin e Kosovës, mirëpo të dy futbollistët kanë vendosur të luajnë për kuqezinjtë. /Insajderi.com