Portieri i Partizanit, Alban Hoxha u shndërrua mbrëmjen e të shtunës në një prej protagonistëve kryesorë në kampin kuqezi gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael, nga të vetmit futbollistë në fushë që u shfaqën vendimtarë, ndonëse vetëm për një moment.
I futur në lojë pas daljes së Berishës me karton të kuq, Hoxha ka nisur praktikisht eksperiencën e tij aktive me Kombëtaren, me këmbën e mbarë, ose më saktë me dorën e mbarë, teksa ka arritur të presë një penallti të akorduar në favor të Izraelit.
Gjithsesi në inferioritet të theksuar numerik, me vetëm 9 futbollistë, përballë kundërshtarit me 11 lojtarë, Hoxha e pati të pamundur të ndalë dy golat e pësuar në harkun e 30 minutave të luajtura prej tij, shkruan Telesport.
Tashmë aktivizimi i portierit Hoxha është i siguruar për të paktën dy ose tre ndeshjet e ardhshme në këtë fushatë kualifikuesesh të Botërorit “Rusi 2018”, pas daljes së Berishës me karton të kuq, e për më tepër të dënimit që pritet ende të vendoset ndaj tij nga ana e UEFA-s, për atë gjest antisportiv në ndeshjen ndaj Izraelit.
Ndërkohë, në përfundim të ndeshjes, portieri Alban Hoxha i është nënshtruar testeve antidoping, sikurse konfirmoi edhe ai vetë.
“Nuk e takova Berishën. Nuk e di çfarë ka ndodhur në dhomat e zhveshjes. Isha duke bërë testin antidoping dhe tani sapo u lirova”, deklaroi Hoxha, të shtunën, pas ndeshjes Shqipëri-Izrael 0-3.
Ndërkohë, mësohet se veç portierit Hoxha, testit antidoping i është nënshtruar edhe Odise Roshi.