Problemet patriarkale të festivalit feminist

Prej emrit të festivalit deri te titujt e ngjarjeve të tij, programi i festivalit Femart bën të kundërtën e qëllimit që promovon;  në vend të feminizmit, kemi një shtrembërim të koncepteve dhe përdorim të termave që në vend se të fuqizojnë, ofendojnë dhe degradojnë gratë.

Problemet patriarkale të festivalit feminist

Është viti i shtatë me radhë, që kur festivali feminist fillimisht i quajtur Femme Fatal, e pastaj i konvertuar në Femart ka filluar, për tu bërë sikurse propagandohet, festivali feminist më i madh në rajon.

Që prej vitit të parë është parë që organizatorët e këtij festivali  nuk i kanë përceptuar shumë ndjeshëm termat dhe ideologjitë, si fillim duke përmendur emrin e fillimit “Femme Fatale” i cili në feminizmin mainstream llogaritet si një koncept seksist, objektivizues të gruas, për të vazhduar te shumë problematika të tjera, si shembull mosangazhimi i dukshëm i artistëve feminist të gjinisë së kundërt, cka i bjen të jetë një lloj seksizmi i llojit të vet, i ngjajshëm me tendencën patriarkale, ku dominon vetëm njëra gjini.

Më vonë emri u ndërrua në Femart, e aktivistë apo artistë të gjinisë së kundërt u bënë pjesë e programit, edhepse inkuadrimi i tyre në Femart, duket sikur është bërë sa për sy e faqe, sa për tu plotësuar kërkesa për diversitet.

Ky është viti i shtatë prej kur ky festival ka filluar, por programi i tij mund të jetë gjithçka pos një programi feminist.  Prej fillimit, slloganit Liri vs Turp,  performancës hapëse të Eliza Hoxhës me titullin “Bëhu fytyra ime”, një artiste kjo që shkaktoi debat të jashtëzakonshëm me anëtarësimin në partinë më mizogjene të vendit, anëtarët e së cilës kërkuan ekzaminim e viktimave që Eliza iu kërkon të bëhën fytyra e saj (sepse të veten si duket e pranon që e ka humbur)  e deri te titulli i konferencës “Në vend të gabuar, në kohë të gabuar” kundërmojnë jokorrektësi.

Është një staf jo i vogël që punon për një kohë të gjatë në përpilimin  e programit të këtij festivali.  Askujt prej tyre nuk ia ka vrarë syrin asnjë prej këtyre koncepteve që jo vetëm shtrembërojnë parimet feministe të vërteta, por në të njëjtën kohë riviktimizojnë personat  e dhunuar, një temë kjo që ka marrë tendencën e trendit, nga i cili të gjithë nguten të përfitojnë.

Të organizosh dhe të promovosh hapur një konferencë për të mbijetuarat e dhunës seksuale me titullin “Në vend të gabuar, në kohë të gabuar” kontribon në konceptin patriarkal të fajësimit të viktimës dhe zbutjes së përgjegjësisë nga viktimizuesit. Nëse unë dal dhe përplasem nga një makinë, mund të jetë që isha në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar, por krimet seksuale të ushtruara gjatë luftës në Kosovë nuk ishin rastësi. Pas 20 vitesh lufte, ky titull konference do të ishte turp të përdorej prej njerëzve të zakonshëm e le më prej një organizate (pseudo)feministe.

Pika tjetër, jo më pak e rëndësishme është përdorimi i termit preferencë seksuale në vend të orientimit seksual. Orientimi seksual nuk është preferencë, personat e komunitetit LGBT nuk kanë pasur mundësinë të zgjedhin orientimin e tyrë seksual, kjo veçse qon (prap) në  përforcim të mendësisë patriarkale, sipas të cilës orientimi seksual është zgjidhje e individit, çka mund të them se me fjalë të tjera është një atakim e ofendim serioz ndaj personave të këtij komuniteti, pavarësisht qëllimin a mosqëllimin.

Pa dyshim që nuk është e lehtë të bësh një festival, ndryshe do të kishim më shumë. E sidomos një festival feminist. E më së shumti, të trajtosh tematikë si rasti i grave të dhunuara në një vend ku stigmatizimi e ritraumatizon viktimën. Duhet menduar mirë. Jo të gjithë dinë të kenë qasjen e duhur në tema të ndjeshme, megjithatë ka njerëz që dinë, të specializuar në këtë fushë. Sllogani Liri vs Turp  lirisht mund të ishte vetëm Turp, sepse  e tillë është qasja. Unë uroj që sado të jetë promovuar ky festival, të ketë kaluar pa u dëgjuar e parë prej viktimave të dhunës seksuale dhe komunitetit LGBT, sepse ky program nuk është asgjë më shumë se një ofendim dhe ritraumatizim për ta.