Vendimi i Qeverisë nuk garanton mbrojtje për qumështin vendor

Një masë ndaluese që ka marrë qeveria e Kosovës ndaj qumështit që importohet nga Bosnje Hercegovina, duket se nuk po i mbron prodhuesit vendore, për çka thuhet se u mor ky vendim. Në Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, thonë se masa parasheh ndalimin e vetëm një lloji të qumështit të ambalazhuar. Por ata insistojnë se janë rreth 50 produktet që u ka shkaktuar atyre problem në treg, e jo vetëm qumështi i amabalzhuar.

Vendimi i Qeverisë nuk garanton mbrojtje për qumështin vendor

Qeveria e Kosovës që nga java e kaluar ka vendosur një taksë prej 17% ndaj qumështit që vjen nga Bosnja e  Hercegovina.

Ministria e Tregtisë kishte propozuar marrjen e këtij vendimi që në  muajin prill, por vetëm në mbledhjen e fundit të mbajtur të martën e kaluar, Qeveria vendosi për fillimin e zbatimit të saj.

Alush Kryeziu, udhëheqës i Divizionit për Mbrojtje të Tregut, tha për Insajderin se masat e përkohshme mbrojtëse janë parapare për mbrojtjen e industrisë prodhuesve dhe përpunuese të qumështit në Kosovë bazuar ne Ligjin për masat mbrojtëse në importe.

Arsyeja që ka shtyrë të merret ky vendim sipas Kryeziut është rritja e importit në masën prej 23% nga ky vend.

“Dhe nga kjo rritje është duke u rrezikuar ky sektor i importit të qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina”, tha ai.

Ky zyrtar nuk ka treguar pse është paraparë aplikimi i masave të përkohshme e jo të përhershme e as për sa kohë vlejnë këto masa, shkruan Insajderi.

Por Kryeziu thotë se në produkteve të importuara nga Bosnje Hercegovina do tu vendoset vlera prej 17%.

“Do të aplikohet masa mbrojtëse në importe në vlerë prej 17%  në produktin e importuar respektivisht në çmimin e deklaruar”, tha ai.

Dogana e Kosovës tashmë ka filluar me aplikimin e masave mbrojtëse për qumështin e importuar nga Bosnja e Hercegovina. Këtë e konfirmoi Adriatik Stavileci, zëdhënës i doganës së Kosovës.

“Sipas vendimit të MTI-së në secilin import qumështit me origjine nga Bosnja duhet të aplikohet taksë shtesë prej 17%”, tha ai.

Sipas Stavilecit, nuk kanë ndonjë afat se për çfarë kohe do të aplikohet ky vendim.

Para se të vendosej kjo masë, Kosova ka importuar nga Bosnje Hercegovina një sasi të konsiderueshme të qumështit. Vetëm gjatë pjesës së parë të këtij viti nga ky shtet janë importuar 5 milionë e 400 mijë litra qumësht në vlerë prej 2 milionë e 900 mijë euro.

Kurse gjatë tri viteve të fundit, sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës sasia ka qenë rreth 7 milionë litra.

Sipas udhëheqësit të Divizionit për Mbrojtje të Tregut, Alush Kryeziu, importuesit kryesor të qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina janë dy kompani.

Por, se a është duke e aplikuar të njëjtën mase ndaluese Bosnje e Hercegovina për produktin e njëjtë të Kosovës, Kryeziu thotë se nuk kanë njohuri për këtë çështje.

Memaj: Ndalimi i vetëm një lloji të qumështit nga Bosnja nuk mbron prodhuesit vendor

Ramadan Memaj, kryetari i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës, thotë se ndikimi që do të ketë ky vendim në mbrojtjen e prodhuesve vendor të qumështit do të jetë minimal.

Memaj thotë se kjo shoqatë ka evidentuar rreth 50 produkte të qumështit që sipas tij janë duke shkaktuar probleme, por se nga të gjitha këto produkte Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vendosur që vetëm një lloji të qumështit t`i vendoset taksë.

“Në fakt kjo është masë parciale edhe në kuptim të vendit prej nga vjen, pra është fjala vetëm për një shtet. Edhe në kuptimin tjetër është prapë parciale për nga numri i produkteve për shkak se bëhet fjalë për ndalimin vetëm të qumështit të afatizuar dhe nuk bëhet fjalë për produktet e tjera për të cilat ne kemi shprehur shqetësim”, tha Memaj për Insajderin.

Sipas Memajt, ndonëse shteti fillimisht kishte marrë vendimin që do të duhej të hynte në fuqi nga data 23 maj ajo është vonuar deri në gjysmën e muajit korrik. Në këtë kohë, ai thotë se të gjitha stoqet janë mbushur me produktet e qumështit.

“Siç duket dikush është përkujdes mjaftë mirë që kjo masë të aplikohet në momentin e saj, atëherë kur ndikimi të jetë minimal ose kuruare për faktin se ne kemi kërkuar që masat të aplikohen për t`i mbrojtur prodhuesit vendor sidomos gjatë kohës së verës kur ka edhe teprica të qumështit edhe kërkesa për konsum rritet”, tha Memaj.

Memaj tha se ndikimi që mund të ketë kjo masë e vendosur nga shteti do të mund të shihet tek pas 9 muajve.

“Është llogaritur që pas nëntë muajsh të rishqyrtohet ndikimi që ka pasur kjo masë në treg. Dhe kjo i bie që në sezonin tjetër përsëri ndoshta do të hiqet kjo masë kështu që mbrojtja e prodhuesve vendor mbetet vetëm sa për sy e faqe”, tha Memaj. /Insajderi.com

Prodhuesit e Kosovës thonë se importi i qumështit nga Bosnja zvogëlon prodhimin vendor