Produksioni i lidhur me Shefqet Krasniqin kërkonte mobilizim për në xhihad

“Krenaria.com” kishte kërkuar mobilizim për në xhihad për në Siri. Ky produksion është ngushtë i lidhur me imamin kontrovers, Shefqet Krasniqi, i cili doli i pafajshëm nga gjykimi kundër tij ku akuzohej për vepra të lidhura me terrorizmin.

Produksioni i lidhur me Shefqet Krasniqin kërkonte mobilizim për në xhihad

Është data 14 qershor e vitit 2013. Produksioni i videove propagandistike islamike, “Krenaria” në ueb faqen e tij kishte publikuar një komunikatë. Titulli i kësaj komunikate është “Njoftim për mobilizim të përgjithshëm – Obligueshmëria e xhihadit me trup, pasuri dhe armë”. Ishte nënshkruar nga një organizatë me emrin Dijetarët e Umetit Islam me seli në Kajro të Egjiptit.

“Është e obligueshme përgatitja për luftë dhe për xhihad për t’u dalë në ndihmë vëllezërve tanë në Siri, qoftë me trup, pasuri dhe armë, me të gjitha llojet e xhihadit e të përkrahjes që ka të bëjë me shpëtimin e popullit sirian nga dora e vrasjes dhe krimit nga pushteti sektar. Si dhe është i obligueshëm angazhimi për unifikimin e muslimanëve në përgjithësi për t’u përballë me këto krime dhe për të marrë një qëndrim të prerë, i cili shpëton Umetin, dhe me të cilin pastrohet ndërgjegjja para Allahut sipas mundësive të tij të mundshme. Allahu i Lartësuar thotë”, thuhet në pikën e parë të kësaj thirrje.

Produksioni “Krenaria” është produksioni që edhe në faqen e saj “krenaria.com” si rubrikë të parë pas ballinës e ka “Dr. Shefqet Krasniqi”. Edhe në llogarinë e tyre në youtube faqja e vetme e tyre e lidhur me “Facebook” është faqja e imamit Krasniqi. Shumica e videove të tyre të publikuara në këtë llogari janë po ashtu të Shefqet Krasniqit.

Në agjencinë e bizneseve ende figuron, por tashmë si i shuar, biznesi “Studio Krenaria” që për pronar ka pasur personin me emër Bajram Krasniqi.

Në këtë thirrje të vitit 2013 të publikuar te “Krenaria.com” vihet theksi te lufta në Siri duke konstatuar se “Duke pasur parasysh atë që po ndodh në tokën e Shamit nga armiqësia e orkestruar nga pushteti iranian, Hezbollahu dhe nga aleatët e tyre sektarë, atëherë llogaritet se kjo është luftë e shpallur kundër Islamit dhe muslimanëve në përgjithësi”.

Në këtë shkrim atyre që u bëhet thirrje për xhihad u jepet edhe një arsyetim duke e cituar librin e shenjët të myslimanëve, Kur’anin, duke u thënë “Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë”.

Mbi 300 kosovarë i ishin bashkëngjitur më vonë luftës në Siri, dhe një numër i konsiderueshëm i tyre edhe me familjet e tyre udhëtuan për në vatrat e luftës që më vonë u shpërndanë edhe në Irak. Një pjesë e mirë e tyre edhe janë vrarë atje, ku në raste kosovarët u përfshinë edhe në sulme vetëvrasëse.

Kur Kosova iu bashku koalicionit Anti-ISIS ishin arrestuar dhjetëra ish-xhihadistë e po ashtu imamët më të famshëm të Bashkësisë Islame të Kosovës, si Enes Goga, Eroll Nesimi, Idriz Bilibani, Zekirja Qazimi , Dardan Gjuka, Mazllam Mazllami, Bedri Robaj, Ekrem Avdiu, Enis Rama e Shefqet Krasniqi.

Imami Shefqet Krasniqi në tetor të vitit 2018 përfundimisht u lirua nga akuzat për vepra penale që lidhen e terrorizëm dhe për shmangie nga tatimi.

Në bazë të aktakuzës së 27 shkurtit 2017, Shefqet Krasniqi akuzohej nga Prokuroria Speciale për veprën penale “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, nga viti 2013 e deri më 2014, në cilësinë e imamit të xhamisë së madhe “Mehmet Fatih”, në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, kryesisht në mënyrë indirekte, mesazhe të cilat kanë shtyrë të tjerët të marrin rrugën për Siri dhe Irak dhe të ndërmarrin veprime terroriste në ato vende.

Prokuroria pretendonte se Krasniqi, ka shfrytëzuar paraqitjet e tij të drejtpërdrejta me anë të ligjëratave dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimeve të ajeteve kuranore jashtë kontestit kohor dhe frymës parimore islame. Prokuroria, në këtë kontest përmend ligjëratat “Revulucioni Sirian” dhe “Ndihmone Sirinë”.

Gjithmonë sipas aktakuzës, nga ligjëratat e Krasniqit janë ndikuar shumë persona që të bëhen pjesë e organizatave terroriste “ISIS” dhe “Al Nusra”, e ku përmenden Venera Ademi, Ilir Mustafa e Blerim Heta. Sipas prokurorisë, Blerim Heta, më 25 mars 2014, kishte kryer një veprim terrorist vetëvrasës, në të cilin rast kishin mbetur të vrarë 52 persona në Irak.

Ligjëratat “Revulucioni Sirian” dhe “Ndihmone Sirinë”, sipas prokurorisë janë inkriminuese që Krasniqi ka kryer edhe veprën penale “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtarë, racor, fetar apo etnik”, pasi pretendohet se ai përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimeve të ajeteve kuranore jashtë kontestit kohor dhe frymës parimore islame, ndër të tjera thuhej se “sllavët rusë dhe budistët e komunistët kinez, kanë bërë dhe po bëjnë krime të mëdha kundër vëllezërve tanë myslimanë, se janë duke vrarë vëllezërit tanë myslimanë në Siri”.

Krasniqi në bazë të aktakuzës, ngarkohej edhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”, pasi pretendohet se si pronar I.N.T “Pronat”, në periudhën kohore 2011 deri më 2016, më qëllim të fshehjes apo shmangies së pjesshme ose të tërësishme të tatimit, me dashje ka dhënë të dhëna të pavërteta duke mos i kryer obligimet që parashihen me Ligjin për Administratën Tatimore. Krasniqi pretendohet se nuk i ka kryer obligimet tatimore, në vlerë të përgjithshme prej 20.208.57 euro./Insajderi.com/