“Prof”, taktika e Albin Kurtit për të joshur kundërshtarët politik

“Prof”, taktika e Albin Kurtit për të joshur kundërshtarët politik

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, po vazhdon t’i joshë kundërshtarët e tij në politikë përmes një metode: lartësimit të tyre me tituj universitar.

Kurti ia ka vënë epitetet “profesor” juristit Enver Hasani dhe politikanit Isa Mustafa, dy njerëzve që dikur i kishte nënçmuar e ofenduar.

Pas zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit, kur Lëvizja Vetëvendosje kishte vendosur “vija të kuqe” për koalicione me të gjitha partitë tjera parlamentare, përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës, diskursi i Albin Kurtit ndaj liderit të LDK-së kishte ndryshuar rrënjësisht.

Nga epitetet ofenduese ndaj Mustafës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje kaloi në epitete lartësuese për homologun e tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Për dallim nga vitet e kaluara, kur gjatë protestave kundër demarkacionit me Malin e Zi në periudhën 2014-2017 Isa Mustafën  e quante “argat të Serbisë”, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit 2019, Kurti i vuri Mustafës titullin universitar “profesor”.

Metodën e njëjtë, duke përdorur termin e njëjtë, Kurti e përdori një ditë pas rrëzimit të qeverisë së tij. Por, tashmë karshi një figure tjetër që dikur e konsideronte kundërshtar – e nënçmonte, por edhe e ofendonte.

Është fjala për Enver Hasanin, ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilit të enjten i vendosi epitetin e “profesorit” – të cilin titull shkencor juristi Hasani e ka fituar vite më parë nga Universiteti i Prishtinës.

“Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë”, ka shkruar Kurti në reagimin e tij.

Mirëpo, Albin Kurti refuzonte ta quante “profesor” prof. Enver Hasanin kur atij i konvenonte për të njollosur profesorin në krye të Gjykatës Kushtetuese.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje asokohe e quante “Kali të PDK-së” profesorin Enver Hasani. Ofendimet ndaj tij i arsyetonte me akuzat kundër Hasanit për shërbim ndaj Hashim Thaçit, asokohe kryeministër i Republikës.

Madje, Lëvizja Vetëvendosje, me në krye Kurtin, ofendimet ndaj asokohe kreut të Gjykatës Kushtetuese i kishte thelluar kur kishte zgjedhur t’i ilustronte ato përmes një “proteste simbolike” me një kalë që shëtiste shesheve të Prishtinës.

Këtij kali i ishte vendosur një pankartë me emrin e Enver Hasanit, teksa e atë e drejtonin dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje të maskuar si Hashim Thaçi e Kadri Veseli, dy krerët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Në një rast tjetër, Albin Kurti kishte nxitur të qeshura në njërin prej tubimeve në Prishtinë të lëvizjes që ai drejton, kur qëllimisht kishte ngatërruar mbiemrin e profesor Hasanit me “Sahanin”, një fjalë me prejardhje turke për pjatën e thellë.

Sa do pak i thellë që mund të jetë një sahan, mbetet më i thellë sesa bindjet e Albin Kurtit për Enver Hasanin. /Insajderi.com