Profesori në UP merr pagë 7 vjet pa mbajtur ligjërata

Profesori në UP merr pagë 7 vjet pa mbajtur ligjërata

Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) ka profesor që nuk e ka të ripërtërirë kontratën që nga  viti 2010. Por ai Vazhdon të marrë pagën e plotë.

Arsyeja për këtë, sipas të gjeturave në raportin e Zyrës së Kombëtare të Auditorit, është se profesori ka probleme shëndetësore.

“Në FIEK kemi vërejtur se një (1) profesori që nga viti 2010 nuk iu ka përtërirë kontrata, mirëpo i njëjti vazhdon të kompensohet me pagë të plotë. Gjatë diskutimeve me zyrtarët e UP-së kemi kuptuar se shkak për mos vazhdimin e kontratës ishin problemet e tij shëndetësore. Megjithëse, ai kompensohet në vazhdimësi edhe pse nuk ofron shërbimet për çka kompensohet”, thuhet në raport.

Marrë për bazë këtë, Auditori thotë se pagesat ndaj personit i cili nuk është i aftë të ofrojë shërbimet paraqesin barrë të panevojshme dhe dëmtojnë buxhetin e UP-së.

“Mbajtja në listën e pagave e personit në fjalë, për shkak të kufizimeve buxhetore e pamundëson rekrutimin e një stafi i cili do të ofronte shërbimet e nevojshme”, thuhet në tej në raport.

ZKA i rekomandon rektorit të UP-së që në bashkëpunim me njësinë akademike duhet të bëjnë një zgjidhje të pranueshme për personin në fjalë.

Thotë se duhet të verifikohet nëse ka raste tjera të ngjashme, dhe të ngrihet çështja tek organet kompetente.

“Asnjë pagesë nuk duhet të bëhet nëse paraprakisht nuk janë pranuar shërbimet”, thuhet në raport./Insajderi.com