Profesori që priste avancimin në UP, akuzohet për ngacmim seksual

Profesori që priste avancimin në UP, akuzohet për ngacmim seksual

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, në mbledhjen e sotme të Senatit të UP-së, tha se një kandidat për avancim është akuzuar për ngacmim seksual nga një kandidate për specializim.

Manxhuka- Kërliu tha profesori Milaim Sejdini i plotëson kriteret formale për avancim por ia tha se një kandidate për specializim e ka denoncuar atë për një ngacmim.

“Profesori Milaim Sejdini i plotëson të gjitha kushtet formale për avancim. Kam pasur një informatë sepse profesori është edhe drejtor i një klinike stomatologjike dhe një kandidate për specializante ka parashtruar ankesë për ngacmim seksual nga ky kandidat dhe bashkëshorti j saj i cili është staf profesional ka sulmuar profesorin në vendin e punës. Profesori e ka mohuar një deklaratë të tillë por organet e rendit janë duke u marrë me këtë çështje”, ka thënë ajo.

Por i kontaktuar nga Kallx.com, Sejdini e ka mohuar akuzën për ngacmim.

“Kjo procedurë nuk fare të bëjë as një presje me të vërtetën. Kandidatja ka qenë e dobët si studente, mundohej t’i ikte për një arsye, mundohej burri i saj t’i ikte burgut, pra ta shpëtonte burrin e saj dhe ta jepte provimin pa njohuri elementare, këto janë ato shkaqet. Lënda është në procedim në Prokurori, shpejt do të kemi prej Prokurorisë një konfirmim definitiv. Ky është shantazh kryekëput i qëllimshëm”, tha Milaim Sejdini.

Vitin e kalua, Sejdini ishte akuzuar nga asistentja e tij, Albena Reshitaj, për pvrvetësim të punimit të saj shkencor.