PROFIL |Nga ish-ushtar në kryetar komune i PDK-së dhe kandidati i VV-së për deputet

PROFIL |Nga ish-ushtar në kryetar komune i PDK-së dhe kandidati i VV-së për deputet

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Gani Krasniqi është njëri nga të ftuarit e Gjykatës Speciale. Krasniqi gjatë luftës në Kosovë, ka qenë njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në zonën e Malishevës.

Ai do të dal para Dhomave të Specializuara më datat 11 dhe 12 nëntor në cilësinë e dëshmitarit, shkruan Gazeta Insajderi.

Krasniqi në vitin 1998 ka qenë i angazhuar në Këshillin Financiar me seli në Malishevë dhe ka ndihmuar në themelimin e celulave të para të UÇK-së dhe si drejtues i zonës së Malishevës dhe në formimin e shtabit të saj.

Pas luftës, në vitin 2003 Krasniqi ka qenë Kryetar i Komunës së Malishevës dhe kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i cili më pas ishte bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Si aktivistë i Lëvizjes Vetëvendosje, Krasniqi ishte arrestuar në vitin 2015 në selinë e tyre së bashku me liderin e VV-së, Albin Kurti, gjatë kohës sa ata protestonin kundër marrëveshjes për ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjen e demarkacionit e kufirit me Malin e Zi.

E në një prononcim për Gazetën Insajderi, Krasniqi thotë se lufta është bërë për tu çliruar dhe jo për të pushtuar, derisa shton se ftesës nga Gjykata Speciale do t’i përgjigjet dhe se në Hagë duhet të paraqitet më 11 dhe 12 nëntor.

“Lufta është bërë për të çliruar dhe jo për të pushtuar, lufta ka qenë e drejtë dhe është përkrah edhe nga të gjithë ndërkombëtarët që kuptojnë çka është liria dhe çka është demokracia, çka është humanizmi”.

“Ftesën e kam marr në dorë nga një hetues me kombësi çeke në cilësinë e kësaj Gjykate Speciale. Ftesa ka edhe materialin ndihmës logjistik çka duhet, ka datën, ka orën , data 11 dhe 12 nëntor ora 09:00 duhet të paraqitem në cilësinë e dëshmitarit. Natyrisht që do t’i përgjigjem, jo për ta mbrojtur UÇK-në por UÇK-ja është dhe mbrohet me aktin e saj të luftës çlirimtare dhe të drejtë. Unë do të shkojë për të dëshmuar aktivitetin tim edhe të veprimtarisë time edhe politike edhe kombëtare por normal edhe çlirimtare”, ka thënë Krasniqi për Insajderin

Krasniqi po ashtu nuk e ka mohuar se në luftë ka pas edhe krime mirëpo që ato janë bërë mbi popullatën shqiptare nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

“Në luftë ka pas edhe krime, ka pas edhe terror por këto i ka bërë pushtuesi i ka bërë shteti në krye me Millosheviqin, ka bërë mbi popullatën shqiptare dhe kush i ka dal para, me pleq. Por edhe në luftë edhe në ushtritë me elitare, edhe në NATO ka që bëhen gabime, me dashje pa dashje nga individ të caktuar që ata nuk janë ushtri çlirimtare. Dhe kushdo që ka shkel mbi kodin e ushtrisë ai do të jetë përgjegjës dhe ligji”, ka thënë Krasniqi. /Insajderi.com