Profili i Remit – Komandanti i parë i UÇK-së që u ftua nga Gjykata Speciale

Profili i Remit – Komandanti i parë i UÇK-së që u ftua nga Gjykata Speciale

Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, është personi i parë që do të intervistohet nga Prokurori i Gjykatës Speciale. Këtë e ka konfirmuar avokati i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Arianit Koci.

Hetimi 7-vjeçar për krimet e pretenduara që dalin nga raporti i Dick Martyt, nga Gjykata Speciale pritet që nga viti i ardhëshm të filloj me punët intensive.

Remi ka pranuar ftesën nga kjo gjykatë, ndërkohë që do të intervistohet me 14 janar të vitit 2019.

Por kush është komandant “Remi”?

Rrustem Mustafa, ka lindur në fshatin Përpellac të Podujevës, në vitin 1971. I njohur me nofkën “Remi”, Rrustem Mustafa shërbeu si komandant i Zonës Operative të Llapit gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999.  Pas luftës Mustafa ka shërbyer edhe në TMK.

Rrustem Mustafa është i dënuar për krime lufte.

Ishte vërtetuar se ka urdhëruar dhe ka marrë pjesë në themelimin dhe vazhdimin e trajtimit çnjerëzor të civilëve shqiptarë të Kosovës, të paraburgosur në qendrën e paraburgimit në Llapashticë.  Aty civilët shqiptarë janë mbajtur në kushte çnjerëzore duke i privuar nga higjiena, uji, ushqimi dhe trajtimi i nevojshëm mjekësor.

Prokuroria kishte specifikuar se në tetor 1998, në fshatin Llapashticë ku ndodhej edhe shtabi i zonës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte improvizuar një burg të kontrolluar mirë.

Në të ishin mbajtur shqiptarë që sipas UÇK-së ishin bashkëpunëtor të Serbisë. Kushtet në të ishin përshkruar si të tmerrshme.

“Të burgosurit ishin subjekt i torturave dhe rrahjeve, shtyheshin që të rriheshin në mes vete, shtyheshin të deklaronin rrejshëm dhe kërcënoheshin me jetë”, thuhet në aktakuzë.

Mustafa si pjesë e “Grupit të Llapit”, për herë të parë ishte dënuar nga gjykata e UNMIKUT, me 17 vjet burgim. Por Gjykata Supreme e Kosovës, në vitin 2005 e kishte prishur lëndën dhe e kishte kthyer në rigjykim.

Gjykata e Qarkut në vitin 2009,  e kishte dënuar Mustafën me katër vjet. Pas kësaj gjykata Supreme kishte anuluar vendimin pasi kishte konstatuar se se Gjykata e Qarkut e Prishtinës, në aktgjykimin e shpallur në tetor të 2009-s ka pasur shkelje procedurale nga kolegji gjyqësor. Rasti ishte kthyer në rigjykim.

Në qershor të vitit 2013, Gjykata Themelore e Prishtinës, për herë të tretë kishte shpallur një aktgjykim në rastin e quajtur si “Grupi i Llapit”.

Komandant Remi, u dënuar  me 4 vite burgim për krime lufte nga kjo gjykatë.

Mustafa ishte inkuadruar edhe në politikë si pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Shërbeu si deputet në tri legjislatura të Kuvendit të Kosovës.

E humbi mandatin e deputetit në vitin 2016 pasi që Mustafa ishte i dënuar me 4 vite burg për krime lufte, dhe aktgjykimi mori formën e prerë.

Rrustem Mustafa ndodhet në mesin e 25 kosovarëve që janë futur në një “listë të zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit konsiderohet si person i padëshirueshëm në Amerikë.

Këtë e tregon një raport i Zyrës Amerikane për Kontroll të Aseteve të Huaja, zyrë kjo që funksionon në kuadër të Thesarit Amerikan.

Pas luftës, jeta e Rrustem Mustafës është karakterizuar edhe me pasurimin e shpejtë të tij.

Në një deklarim të pasurisë së vet, në Agjencinë Kundër-Korrupsion në vitin 2015, Mustafa kishte deklaruar një truall me sipërfaqe prej 1 mijë e 600 metrave katëror që vlente 500 mijë euro. /Insajderi.com

Komandant Remi në Hagë – a do të jetë udhëtimi i tij njëdrejtimësh?