Prokuroria dhe Policia shkojnë në Qendrën e Numërimit të Votave

Prokuroria dhe Policia shkojnë në Qendrën e Numërimit të Votave

Prokurori i Shtetit dhe hetuesit nga Policia e Kosovës kanë shkuar në Qendrën e Numërimit, pas kërkesës së kreut të KQZ-së lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale të keqpërdorimeve të mundshme gjatë procesit zgjedhor.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KZQ), Valdete Daka, përmes ftesës publike ka kërkuar ndihmën e prokurorisë dhe policisë që të jenë prezentë brenda objektit të QNR-së, lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale të keqpërdorimeve të mundshme në kuadër të procesit zgjedhor.

Bazuar në kompetencat që ka KQZ-ja, gjatë tërë procesit të zgjedhjeve është e obliguar të koordinojë aktivitetet e saja me institucionet nënshkruese të memorandum bashkëpunimit, dhe pas prononcimit të kryetares së KQZ-së, Prokurori i Shtetit njofton publikun se në QNR tanimë janë prezent Prokurori i Shtetit dhe hetuesit nga Policia e Kosovës, të cilët bashkërisht do t’i përcjellin dhe verifikojnë pretendimet e parashtruara nga KQZ-ja.

Prokurori i Shtetit bën me dije se ka përcaktuar ndërmarrjen e aktiviteteve për luftimin me sukses, përfshirë parandalimin, e të gjithë atyre që bien në kundërshtim me dispozitat e ligjit në fuqi lidhur me veprat penale kundër të drejtave të votimit. /Insajderi.com