Jehona Zhuniqi
Prokuroria Speciale e Kosovës, sot ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrave Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lilaj, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, ndaj ish-drejtorit të KEK-ut, Arben Gjuka, dhe 14 personave të tjerë për faljen e disa hidrocentraleve.
Aktakuza ka të bëjë me Komitetin Qeveritar për Privatizim.
Ata akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat e veta duke votuar që disa hidrocentrale që prodhojnë energji elektrike të transferohen tek KKDFE dhe më pas të privatizohen nga Limaku, shkruan Insajderi.
Ish-Drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka në një bisedë telefonike për Insajderin ka thënë se nuk është në dijeni për ngritjen e kësaj aktakuze dhe se për këtë ka lexuar vetëm në media.
“Unë nuk di asgjë, vetëm atë çka e kam lexuar në media, nuk kam asnjë koment. Nuk jam në dijeni që është ngrit aktakuzë dhe nuk kam asnjë informatë. Do ta lexoj , ta shoh , por është jokorrekte të flas për diçka që nuk jam në dijeni ”, ka thënë Gjukaj, për Insjaderin.
Ai, thotë se nuk është njoftuar nga askush për ngritjen e kësaj aktakuze.
“Nuk më ka njoftuar askush asgjë. Nuk e di çka përmban, as çka është qëndrimi i saj, e as përmbajtja”, ka thënë Gjukaj.
Sipas njoftimit nga Prokuroria, në të njëjtën ditë ata kanë nënshkruar marrëveshje për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe./Insajderi.com