fbpx

Prokuroria arsyeton mbylljen e dyshimtë të hetimeve për rastin e nxënëses nga Drenasi

Prokuroria arsyeton mbylljen e dyshimtë të hetimeve për rastin e nxënëses nga Drenasi

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka arsyetuar mbylljen e dyshimtë të hetimeve për rastin e abuzimit seksual të nxënëses nga Drenasi.

Pavarësisht se deklaratat e fundit të nxënëses dhënë Insajderit, konfirmojnë atë që vajza ka denoncuar kohë më parë në Polici, Prokuria po arsyeton mbylljen e hetimeve për shkak të, siç i kanë cilësuar, deklaratave kontradiktore të nxënëses.

Por vetë nxënësja ka thënë se profesori Shkëlzen Xhekaj e kishte shtyrë t’i tërhiqte deklaratat dhe të përgënjeshtronte gjithçka, duke i premtuar martesë.

Kjo është komunikata e plotë e Prokurorisë Themelore të Prishtinës:

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin se lidhur me rastin për dyshim të keqpërdorimit seksual ndaj të miturës nga Drenasi, ka pranuar kallëzim penal më 21.09.2017, kurse prokurori i çështjes ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve më 10.01.2018.

Në njoftimin për media thuhet se prokurori i çështjes, me rastin e intervistimit të dëmtuarës së mitur më 11.01.2018, fillimisht e ka njoftuar të njëjtën me të drejtat e saj në praninë e përfaqësuesit ligjor babait, mbrojtësit të viktimave, avokatit sipas detyrës zyrtare, si dhe, avokatit me autorizimin e të dyshuarit.

Gjatë intervistimit të së miturës, është vërejtur se e njëjta e ka mohuar në tërësi deklaratën e dhënë në Policinë e Kosovës, më 14.09.2017, me të cilën deklaron se, gjatë gjithë kohës ka pasur keqpërdorim seksual nga i dyshuari, Sh. Xh.

Përkundër insistimit të vazhdueshëm të prokurorit që e dëmtuara ta thotë të vërtetën, dhe nëse e bën të kundërtën, prokurori do të ushtrojë kallëzim penal ndaj saj, për deklarim të rrejshëm, ajo me çdo kusht i ka refuzuar të gjitha deklarimet e mëparshme, me arsyetimin se deklarata e parë e dhënë në Policinë e Kosovës, ka qenë në tërësi e trilluar, thuhet në tej në komunikatë.

Me qëllim të grumbullimit të provave gjatë fazës së zhvillimit të hetimeve, prokurori i rastit, në bazë të kërkesën së tij, ka pranuar nga Departamenti për Mjekësi Ligjore, Ekzaminimin Gjinekologjik-Fizik për të dëmtuarën, të datës 15.09.2017. Po ashtu, prokurori i çështjes, ka intervistuar të dyshuarin, Sh.XH., më 11.01.2018, i cili ka mohuar pretendimet e deklaruara nga e dëmtuara, në deklaratën e parë të dhënë në polici.

Bazuar në rezultatet e të gjitha këtyre veprimeve hetimore, prokurori i rastit merr aktvendim për pushimin e hetimeve, me arsyetimin se ka pasur dy deklarata kontradiktore, dhe ekzaminimi mjeko-ligjor nuk ka rezultuar me ndonjë rezultat konkret, duke ardhur kështu në përfundim se në veprimet e Sh. Xh., nuk qëndrojnë elementet inkriminuese për veprën penale, keqpërdorim seksual.

Prokuroria po ashtu bën të ditur se prokurori i rastit ka pasur dy deklarata kontradiktore nga e dëmtuara, prokurori i çështjes përpilon shënim zyrtar, më 19.01.2018, me të cilën kërkon që të iniciohet procedurë hetimore ndaj të dëmtuarës, në drejtim të veprës penale, lajmërimi apo kallëzimi i rremë, dhe kërkon që ky shënim zyrtar të konsiderohet kallëzim penal.

Ndërsa, për rastin e dytë që është duke u zhvilluar procedurë penale në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në të cilën çështje penale është e dëmtuar e njëjta, prokuroria bën me dije se do ta mbajë të informuar opinionin për ecurinë e rrjedhës së procedurës.

Ndaj profesorit dhe policit që dyshohet se abuzuan me të miturën, para pak ditësh është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa gjinekolohu Fehmi Ahmeti, që kreu abortin e të miturës, po mbahet në arrest shtëpiak.

Intervistën ekskluzive me 16-vjeçaren e gjeni duke klikuar KETU.

Insajderi kishte raportuar për abuzimimin seksual të nxënëses në Drenas.

Vesel Veseli, i cili mbante postin e zv.shefit të hetimeve në Policinë e Drenasit, dyshohet se e kishte abuzuar seksualisht të miturën.

Veseli dyshohet se e ka shtyrë 16 vjeçaren që të abortojë pa dëshirën e saj.

Për rastin, Prokuroria është informuar nga Inasjderi.

E gjithë kjo ngjarje, ka ngjallë reagime të shumta në shoqërinë kosovare.

Deri tash për të kanë reaguar krerët më të lartë të institucioneve shtetërore si dhe janë mbajtur tri protesta.

InDoks ka përgatitur një dokumentar për dhunën e shtetit kundër nxënëses nga Drenasi. Por, që mund të mos jetë rasti i vetëm i këtyre përmasave.

Ndiqeni dokumentarin duke klikuar KETU.