Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për Molliqajn

Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për Molliqajn

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe aktivistit të kësaj partie, Adem Megjuani.

Kërkesa është bërë këtë të mërkurë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Mund t’ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) personave të ndaluar, në drejtim të veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’”, ka thënë Ulaj.

Molliqaj dhe Megjuani aktualisht janë nën masën e ndalimit prej 48-orëve, pasi janë arrestuan të martën.

Partia Socialdemokrate gjatë ditës ka kërkuar lirimin “e menjëhershëm” të tyre, pasi “po mbahen padrejtësisht në burg”.

Megjuani është arrestuar pasi i është përgjigjur pozitivisht ftesës për paraqitje nga Policia e Kosovës, ndërsa Molliqaj është arrestuar të martën mbrëma në dalje të Prishtinës.

Arrestimi i tyre lidhet me protestën e 29 janarit, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike./Insajderi.com