Prokuroria Themelore në Gjakovë, në qershor të vitit të kaluar kishte ngritur aktakuzë ndaj Bajram Rudit, duke e ngarkuar atë për veprën penale të vjedhjes së pyllit.

Prokuroria në Gjakovë akuzon gabimisht një person për vjedhje pylli

Prokuroria në Gjakovë akuzon gabimisht një person për vjedhje pylli

Prokuroria Themelore në Gjakovë, në qershor të vitit të kaluar kishte ngritur aktakuzë ndaj Bajram Rudit, duke e ngarkuar atë për veprën penale të vjedhjes së pyllit.

Lidhur me këtë rast, të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ishte planifikuar të mbahej seanca gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, në këtë seancë është vërtetuar se personi që ishte thirrur si i akuzuar, nuk është ai që ka kryer një vepër të tillë penale, por që bëhet fjalë për një person tjetër, por që ka rastisur të jetë me emër të njëjtë.

Bajram Rudi, që të enjten është paraqitur në gjykatë, ka thënë se ai jeton që pesë vjet në Gjermani dhe se ai asnjëherë nuk ka kryer një vepër të tillë.

“Unë jetoj në Gjermani që pesë vjet dhe se nuk kam vjedh asnjëherë dru. Edhe baba ka qenë në gjykatë me këqyr se pse akuzohna edhe ju ka tregu që unë nuk kam qenë asnjëherë në mal, e le ma me pre dru. Mirëpo, ju i kishit than që kur të vjen le të paraqitet në gjykatë edhe e vërtetojmë”, ka thënë Rudi.

Se gabimisht është akuzuar një tjetër person, e ka thënë në seancën e së enjtes edhe prokurori Ramiz Buzhala.

Sipas tij, ka një mospërputhje në mes të dhënave personale të përfshira në kallëzim penal dhe në aktakuzë.

“Meqenëse, ftesës sipas aktakuzës i është përgjigjur Bajram (Zymer) Rudi, ndërsa në kallëzim penal është Bajram (Imer) Rudi, po ashtu në bazë të fotografisë, e cila gjendet në shkresat e lëndës dhe letërnjoftimit shihet se janë persona te ndryshëm, andaj në bazë të kësaj kërkoj nga gjykata të mos fillojë shqyrtimi fillestar dhe të kërkohet nga prokurori i çështjes të sigurohen të dhëna të plota për të akuzuarin Bajram (Imer) Rudi”, ka thënë prokurori Buzhala.

Gjykatësi i çështjes Lulzim Paçarizi, pas kërkesës së prokurorit për plotësim të aktakuzës, ka marr aktvendim që aktakuza ndaj Bajram (Zymer) Rudi, të kthehet në plotësim, pasi që i njëjti akuzohet gabimisht, sepse sipas kallëzimit penal kemi të bëjmë me një person tjetër me emër dhe mbiemër të njëjtë.

“Aktakuza i kthehet në plotësim prokurorit të çështjes për sigurimin e të dhënave personale ndaj të akuzuarit  Bajram (Imer) Rudi”, ka thënë gjykatësi Paçarizi.
Kallëzimin penal në këtë rast e ka ngritur Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Malishevës, Njësia Pyjore.

Ndërsa, sipas shkresave të lëndës del se në bazë të kallëzimit penal i dyshuar për vjedhje pylli është Bajram (Imer) Rudi, ndërsa prokurori i rastit Ismet Tofaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës të dhënat për të dyshuarin i kishte marrë nga Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit  (ILECU).

Sipas shkresave, të dhënat nga kjo zyrë kthehen për personin Bajram (Zymer) Rudi dhe në bazë të kësaj edhe ngritët aktakuza nga prokurori i rastit.

Pas këtyre rrethanave, gjykatësi Paçarizi, ka thënë se seanca e radhës shtyhet në afat të pacaktuar, derisa të kthehet e plotësuar aktakuza nga prokuroria.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 8 qershor 2017, Bajram (Zymer) Rudi, akuzohet se më 25 shtator 2016, në ora 15:10, në vendin e quajtur “Funt Kakorri”, në rajonin ekonomiko-pyjor “Mirusha”, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim pasuror, me qëllim vjedhje, kishte prerë 230 copë dru, të llojit bungu dhe qarri, me vëllim të përgjithshëm prej 2.30 metër kub.

Sipas aktakuzës, me këtë të dëmtuarës Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Njësia Pyjore në Malishevë, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 368 euro.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka kryer vepër penale “vjedhje pylli”, nga neni 358, paragraf 1 të KPRK-së.