Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj inspektorit komunal të ndërtimit në Prizren

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj inspektorit komunal të ndërtimit në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.K., në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe ndaj të pandehurit A.K., për veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave” .

Sipas aktakuzës, i akuzuari B.K., në periudhën kohore prej muajit maj të vitit 2016 deri në dhjetor të vitit 2018 në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, ashtu që shkel “Ligjin mbi ndërtimin 2004/2015” përkatësisht nenin 64 duke mos kryer rrënimin e objektit pa leje ndërtimi, përkatësisht objektin banesor të investitorit A.K., në rrugën “Tirana” në Prizren, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin përkatësisht investitorin A.K., i akuzuari nuk ndërmerr masa të duhura në kuadër të kompetencave të tij për mos lejimin e ndërtimit dy katësh të objektit i cili nuk kishte leje ndërtimi.

“Me këto veprime prokuoria ka theksuar, se i akuzuari B.K., ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së. Ndërsa, i akuzuari A.K., me datë 28.08.2017 në kohë të pacaktuar heq ose dëmton vulën zyrtare apo shenjën e ngjitur nga zyrtari i autorizuar, me qëllim të sigurimit të objektit. Pas vendosjes së shiritave nga inspektorët komunal të ndërtimit në Prizren, sipas procesverbalit të Drejtorit të inspektoriateve 0003569 e datës 31.05.2018, i akuzuari A.K., nuk i përfill vërejtjet e dhëna mbi ndalimin e punimeve në objektin e ndërtimit dhe vendosjen e shiritave, ashtu që i heq shiritat e vendosur duke dëmtuar vulat zyrtare. Me këtë ka kryer veprën penale Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave nga neni 414 të KPRK-së”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat u vihen në barrë.