Prokuroria po heton mënyrën si janë futur vaksinat anti-COVID nga Serbia në Veri

Prokuroria po heton mënyrën si janë futur vaksinat anti-COVID nga Serbia në Veri

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka deklaruar të mërkurën se janë duke u mbledhur informacionet për të vlerësuar nëse vaksinat e Serbisë të futura në Veri të vendit janë hyrë në mënyrë ilegale.

Në deklaratë thuhet se është duke u hulumtuar nëse importimi i tyre ka qenë në pajtim më protokollet përkatëse.

“Pas informacioneve të pranuara dhe raporteve në media lidhur me futjen potenciale të vaksinave anti-COVID në pjesën veriore të Kosovës pa përfillur dispozitat e zbatueshme ligjore, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim të ngushtë me policinë, janë duke mbledhur informacione për të vlerësuar nëse vaksinat janë sjellë në Kosovë, si dhe nëse importimi i tyre është bërë në pajtim me protokollet përkatëse për mbrojtjen e shëndetit publik dhe kërkesat ligjore që rregullojnë këto çështje”.

“Ne sigurojmë publikun se mbetemi syhapur në zbulimin, hetimin dhe ndjekjen e veprimeve të kundërligjshme që mund të rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë publike, si dhe mbetemi të përkushtuar që të sigurojmë që askush të mos shfrytëzojë situatën e krijuar si rezultat i pandemisë gjatë kësaj kohe kritike”, thuhet nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com