Prokuroria Speciale kundërshton lirimin e Kadri Veselit: Mund të dënohet me burgim të përjetshëm

Prokuroria Speciale kundërshton lirimin e Kadri Veselit: Mund të dënohet me burgim të përjetshëm

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka çuar argumentet e saj në Gjykatën Speciale të premten për ta kundërshtuar kërkesën e Ben Emmerson, avokatit të Kadri Veselit, për ta liruar përkohësisht nga paraburgimi ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, njofton Insajderi.

Në një përgjigjje të gjatë të Prokurorisë Speciale që mban në fund firmën e kryeprokurorit Jack Smith, janë renditur argumentet se pse Veseli, sipas organit të akuzës, duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim. Prokuroria ka përmendur edhe mundësinë e dënimit të Veselit me burgim të përjetshëm, si një prej arsyeve se pse sipas tyre ai nuk duhet të lirohet as përkohësisht.

“Veseli është akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në 40 vende të mbajtjes anembanë, përfshirë vrasjet dhe torturat. Krimet e paraqitura në akuza kundër Veselit sjellin një dënim të mundshëm me burgim të përjetshëm. Kjo perspektivë krijon rrezik të vazhdueshëm të arratisjes së tij, që do të rritet vetëm pasi Veseli do të mësojë fushën e plotë të provave kundër tij”, thuhet mes tjerash në përgjigjjen e Prokurorisë.

Organi i akuzës në Hagë pretendon se kriteret për ta mbajtur Veselin në paraburgim janë përmbushur dhe se këto kritere “nënvizojnë seriozitetin e rreziqeve të paraqitura”, duke përmendur më tej rrezikun që Veseli të arratiset dhe rrezikun që të ndikojë në procesin e hetimit ndaj tij, përfshirë ndërhyrjen në dëshmitarë. Sipas Prokurorisë, “asnjë masë alternative nuk adreson sa duhet këto rreziqe”.

Në materialin e Prokurorisë Speciale në Hagë thuhet se gjykatësi Nicolas Guillou duhet t’i ketë parasysh tri gjëra përpara se të vendos për lirimin ose mbajtjen në paraburgim të Kadri Veselit./Insajderi.com