Prokuroria Speciale përgënjeshtron Milaim Zekën

Prokuroria Speciale përgënjeshtron Milaim Zekën

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sqaron opinionin publik se deklarimet  e sotme, të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, se kinse ”…tre dëshmitarë e dëshmojnë që prokurori, Afrim Shefkiu, ju ka deklarua tre personave që akuzën ndaj deputetit Zeka e ka ngritur me urdhër të Presidentit Thaçi”, janë deklarime të pavërteta, dhe me tendencë ndërhyrjeje në sistemin e drejtësisë.

Sipas Prokurorisë Speciale, tendencat e tilla të deputetit Zeka, kanë filluar menjëherë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale, kundër tij, me ç’rast i njëjti e kishte kërcënuar prokurorin Shefkiu, gjë për të cilën, Prokurori i Shtetit ka hapur rast.

”Prokuroria Speciale sqaron se aktakuza ndaj deputetit, Milaim Zeka, është ngritur në bazë të provave materiale që vërtetojnë bindshëm veprimet inkriminuese të tij, në lidhje me veprat penale, që i vihen në barrë. Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur, i paanshëm dhe i ndërtuar mbi parime kushtetuese dhe ligjore dhe nuk ndikohet nga deklarimet e tilla, të paqëndrueshme dhe të pavërteta”, theksohet në kumtesë.

Milaim Zeka ishte arrestuar nga Policia e Kosovës për shkak se kishte kërcënuar prokurorin Shefkiu. Ai i kishte thënë se me të do të merrej vesh me kanun.

E gjithë situata kishte ardhur për shkak se prokurori Shefkiu, kishte ngritur aktakuzë ndaj Milaim Zekës për mashtrim të 920 kosovarëve me viza pune në Gjermani.

Insajderi kishte raportuar qysh në fillim, ku shumë të rinj nga Kosova kishin rënë në grackën e kompanisë së Milaim Zekës dhe ortakut të tij Ilir Krasniqi.