Prokuroria Speciale sqarohet lidhur me deklaratat se dëshmia e Trajkoviqit la në paraburgim të dyshuarit për rastin Ivanoviq

Prokuroria Speciale sqarohet lidhur me deklaratat se dëshmia e Trajkoviqit la në paraburgim të dyshuarit për rastin Ivanoviq

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka dhënë sqari  lidhur me deklaratat e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili e pati akuzuar, Rada Trajkoviqin, se dëshmia e saj në Kosovë, për vrasjen e Oliver Ivanoviqit i ka lënë dy serbë në paraburgim.

Gjithashtu prokuroria ka përmendur edhe se i ashtuquajturi shef i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, ka publikuar një dokument kinse është origjinal dhe autentik, gjë që nuk është e vërtetë, ku tregon se çfarë ka thënë në hetime Rada Trajkoviq.

Sipas prokurorisë Trajkoviq është intervistuar si dëshmitare porse dëshmia e saj nuk ka qenë vendimtare për  arrestimin dhe paraburgosjen e dy të dyshuarve.

“Me qëllim të informimit sa më të drejtë, të saktë të opinionit ju njoftojmë se Rada Trjakoviq, është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, si dëshmitare për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, me ç’rast janë intervistuar një numër i konsiderueshëm i dëshmitarëve të tjerë, por në asnjë mënyrë dëshmia e Rada Trajkoviqit, nuk ka qenë vendimtare për arrestimin dhe paraburgosjen e dy të pandehurve siç i kanë thënë politikanët e Serbisë”, thuhet në sqarimin e prokurorisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, thotë se është e përkushtuar për zbardhjen në tërësi të rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, “dhe në asnjë mënyrë nuk ndikohet nga politikanët në Serbi apo kudo tjetër që flasin në emër të rastit Ivanoviq”.

“Andaj, apelojmë që të gjithë politikanët të përmbahen nga deklaratat të cilat mund të ndikojnë në rrjedhën normale të procedurës, apo edhe në rrezikimin e dëshmitarëve”, thuhet në sqarim.