Prokuroria: Vrasja e dyfishtë në Prizren u krye në prani të familjarëve

Prokuroria: Vrasja e dyfishtë në Prizren u krye në prani të familjarëve

Vrasja që ndodhi mbrëmjen e së martës në Prizren, ku një zyrtar policor bashkë me të bijën e tij janë gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tyre, është kryer në prezencë të familjarëve, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prizren, e cila ka njoftuar se në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit, e cila dyshohet se është arma zyrtare e policisë.

“Viktimat janë familjarë në mes vete, janë babë e bijë, të moshës 52 vjeçare, përkatësisht 21 vjeçare, ku njëri nga viktimat është zyrtar policor, i policisë kufitare. Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit e cila dyshohet se është arma zyrtare e policisë. Ngjarja ka ndodhur në ambient familjarë në prezencën e anëtarëve të familjes. Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar së bashku me njësitë relevante policore dhe zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës”, njofton Prokuroria.

Tutje, në komunikatë bëhet e ditur se ende nuk dihen rrethanat e rastit, por janë duke mbledhur informatat e nevojshme me qëllim zbardhjen e rastit.

“Pas shikimit të vendit të ngjarjes, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Deri më tani nuk dihen rrethanat  e rastit, mirëpo Prokuroria dhe Policia janë duke mbledhur informacionin  e nevojshëm me qëllim të zbardhjes së rastit dhe rrethanave që kanë quar deri në ngjarjen tragjike”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë./Insajderi.com