Prokuroria zgjidh 94 përqind të rasteve për korrupsion këtë vit, por asnjë i profilit të lartë

Prokuroria zgjidh 94 përqind të rasteve për korrupsion këtë vit, por asnjë i profilit të lartë

Sistemi prokurorial në Kosovë gjatë këtij viti ka zgjidhur 94 përqind të rasteve të pranuara për korrupsion dhe krime ekonomike. Por ndër ta nuk është asnjë person i profilit të lartë politik.

Në konferencën e fundvitit, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni tha se për ta nivel i lartë janë çdo zyrtarë publik që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Hyseni para gazetarëve paraqiti edhe disa prej atyre që ai i ka quajtur suksese të këtij viti, ku tha se miratimi i planit strategjik 2019-2021 ku bën pjesë edhe strategjia e krimeve të luftës si një Task Forcë mes një varg institucioneve është njëra prej gjërave pozitive që ka prekur sistemin e drejtësisë këtë vit.

“Sistemi prokurorial ka arritur që gjatë periudhës nëntë mujore të këtij viti nga 279 raste të korrupsionit të pranuar nga 725 persona ka zgjedhur 263 raste me 483 persona. Respektivisht ka zgjedhur 94 përqind të rasteve të pranuara. Përkushtim i veçantë iu ka kushtuar edhe raporteve penale që lidhen me këto vepra penale. Ka arritur që gjatë këtij viti të i mbyllë 314 informata penale, apo në përqindje janë 98.7 përqind. Ndërsa sa i përket krimeve ekonomike ka 383 raste të pranuara me 480 persona janë zgjedhur 357 raste me 470 persona respektivisht janë zgjedhur 4 përqind sesa lëndët që janë pranuar. Raportet aktuale tregojnë për një efikasitet të rasteve kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike”, tha Hyseni.

Kryesuesi i KPK-së bëri të ditur se ata asnjëherë nuk kanë bërë dhe nuk do të bëjnë përndjekje politike, por vetëm do të respektojnë legjislacionin në fuqi.

“Për ne, për sistemin prokurorial, niveli i lartë janë të gjithë personat që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe që janë zyrtarë të lartë sipas ligjit për deklarimin e pasurisë. Natyrisht këtë vit e dini se kemi pas aktakuza ndaj inspektorëve të lartë, gjyqtareve, prokurorëve dhe shumë të tjerëve”, u shpreh Hyseni.

I pyetur për përzgjedhjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Hyseni tha se përzgjedhja e ditëve më parë ka qenë njëra ndër përzgjedhjet më transparente që ka pas sistemi Prokurorial në Kosovë.

“Zgjedhja e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka qenë ndër përzgjedhjet më transparente që ka pas sistemi Prokurorial në Kosovë. Prej fillimit deri në fund me bashkëveprim dhe transparencë ka qenë procesi i udhëheqjes”, tha ai.

Hyseni mes tjerash tha se njëra prej objektivave të këtij viti ka qenë llogaridhënia dhe transparenca, për këtë sipas tij janë marrë edhe masa disiplinore ndaj prokurorëve të ndryshëm. Derisa theksoi se edhe lendet e shenjëstruara nga BE-ja do të trajtohen me prioritet.