Prokurorja Hajdari “fajëson” gjykatën për krijim të sistemit të pandëshkueshmërisë

Prokurorja Hajdari “fajëson” gjykatën për krijim të sistemit të pandëshkueshmërisë

Është tensionuar seanca në rastin “Pronto”. Prokurorja Drita Hajdari në mënyrë indirekte ka “fajësuar” gjykatën.

Hajdari, që e përfaqëson këtë rast, ka thënë se të akuzuarit e rastit “Pronto” kanë krijuar sistem të pandeshkueshmërisë, raporton “Koha Ditore”.

Ka përmendur rastin e lirimit të Salih Mekaj dhe të Emin Beqirit.

Të dy këto raste, Gjykata Supreme ka konstatuar se dy shkallët e gjykatës i kanë liruar të pafajshëm në mënyrë të jashtëligjshme.

Hajdari në fjalën hyrëse ka thënë se “kanceri i papunësimit” përhapet çdo ditë e me shumë. Ajo ka folur për gjendjen ekonomike. Ka folur për stacionet e autobusëve të mbushur me punëtorë, për numrin e madh të të papunëve në Kosovë.

Megjithatë, kryetari i trupit gjykues ia ka ndërprerë fjalën duke i kërkuar që t’i prezantojë vetëm provat.

Hajdari ka thënë se “Pronto” ka dëshmuar se gjatë proceseve të punësimit në Kosovë, gjithçka duket që është ligjore por se prapavija është krejt tjetër.

“Kush janë njerëzit nga hija, nga prapaskena…. Janë ata që i shohim shpesh në publik, duken mirë, vishën me rroba të bukura”, ka thënë ajo.

Pas kësaj, të akuzuarit e rastit “Pronto” kanë reaguar.

Ka reaguar edhe kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti. I ka thënë Hajdarit që të prezantojë provat.

Sërish Hajdari ka vazhduar fjalën duke folur në mënyrë indirekte për epilogun që mund ta këtë ky rast.

Kurse Hoti ia ka tërhequr vërejtjen duke i kërkuar të prezantojë provat.

Hajdari në mënyrë indirekte ka folur edhe për krerët e PDK-së, por se ka thënë se nuk kanë gjetur prova për ata persona që 11 të akuzuarit i kanë takuar e u janë referuar si “shef”, “i madh”.