Pronari i hotel “Adriatikut” në Mitrovicë nuk kishte leje për rinovim – ende po kërkohet 20-vjeçari

Pronari i hotel “Adriatikut” në Mitrovicë nuk kishte leje për rinovim – ende po kërkohet 20-vjeçari

Kërkimet për gjetjen e punëtorit që ka mbetur nën rrënojat e ish-hotelit Adreatiku, janë duke vazhduar ende. Ndërkohë që nga Komuna e Mitrovicës kanë thënë se pronari nuk kishte marrë leje për punime.

Nehat Bahtiri, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, ka thënë se po kërkojnë me delikatesë në gërmadhën e objektit.

“Zbrazëtira mes katit të parë dhe pllakës së shembur është shumë e vogël, aq sa është shpresa jonë që ai është në atë pjesë dhe është gjallë”, ka thënë Bahtiri, që ka treguar se kanë marrë informatën për shembjen e një pjese të këtij objekti rreth orës 17:00.

“Rreth orës 5 kemi marrë një thirrje për shembje të objektit në fjalë, ish-hotelit Adriatiku, i cili deri vonë ka qenë në pronësi të AKP-së dhe së fundi është privatizuar. Ata kanë qenë duke kryer punime rinovuese dhe si pasojë është shembur një pjesë e objektit”, ka thënë Bahtiri, në një paraqitje direkte për KTV-në, nga vendi i ngjarjes.

“Jemi mobilizuar në bashkëpunim me zjarrfikësit dhe komunarët. Deri tash, prej orës 18:00 jemi duke gërmuar me shumë delikatesë që të shohim nëse mund ta gjejmë. Deri tani nuk kemi arritur”, ka thënë më tej ai.

Ai ka thënë se pronari i ri apo punëkryerësi i rinovimit nuk ka leje për punë nga Drejtoria e Urbanizmit e Komunës.

“Unë nuk e di me çfarë logjike kanë rrënuar shtyllat të cilat kanë qenë në këtë objekt”, ka thënë ai.