Pronari i restorantit që rrahu punëtorin kërkon falje publike: Veprova në afekt

Pronari i restorantit që rrahu punëtorin kërkon falje publike: Veprova në afekt

Biznesmeni nga Prizreni, Burim Sallauka ka thënë se ka reaguar në afekt kur e ka sulmuar punëtorin e restorantit të tij, “Vila Koha” në Prizren, disa muaj më parë.

Përmes një reagimi për medie, Sallauka ka deklaruar se kamarieri i lokalit të tij e kishte sulmuar fizikisht nipin e tij, para se të ndodhte sulmi i publikuar nga Insajderi përmes video-incizimeve.

“Natyrisht se nuk ndihem mirë me atë që i është dhuruar publikut për të parë, pasi nuk është korrekte dhe është vjedhur nga i njëjti – punëtori vetëm e vetëm me qëllimin e degradimit të emrit tim. E vërteta! Kamarieri, e ka rrahur nipin tim që atëbotë ishte veç 14 vjeç”, ka thënë Sallauka, në reagimin për media.

Biznesmeni nga Prizreni është shprehur se nuk e arsyeton dhunën ndaj kamarierit, por ka deklaruar se i është dukur sikur i është “shembur toka” në momentin kur siç thotë ai, e ka kuptuar se i njëjti e ka sulmuar nipin e tij.

Klikoni këtu për të parë videon: VIDEO

“Siç shihet edhe në video, nipi më tregon se si e ka grushtuar ky kamarier. Unë kam qenë në pjesën e poshtme dhe kam reagu menjëherë, ka dhe dëshmitarë që e kanë parë këtë rast. Kam reaguar dhe kam vepruar në afekt! Mirëpo, nipi siç e thashë ishte veç 14 vjeç, megjithatë kjo nuk e arsyeton veprimin tim, por në atë moment, m’u dukë se m’u shembë bota në kokë”, ka deklaruar ai.

“Megjithatë, me familjen e kamarierit kemi biseduar dhe jemi marrë vesh”, thuhet në reagimin e Sallaukës.

Reagimi i plotë i Burim Sallaukës:

Reagim ndaj portalit “Insajder” Lidhur me artikullin “Pronari i restorantit në Prizren grushton punëtorin, por nuk e pranon fajin”

Gazetari i këtij portali më ka kontaktuar në telefon duke më thënë se kam pasur një problem të enjten në lokalin “Vila Koha”.

Unë i jam përgjigjur duke i thënë që atë lokal nuk e kam më dhe se nuk kam pasur asnjë problem me askë. Por, video në të cilën është publikuar, është para dy vitesh.

Natyrisht se nuk ndihem mirë me atë që i është dhuruar publikut për të parë, pasi nuk është korrekte dhe është vjedhur nga i njëjti – punëtori vetëm e vetëm me qëllimin e degradimit të emrit tim. E vërteta! Kamarieri, e ka rrahur nipin tim që atëbotë ishte veç 14 vjeç.

Siç shihet edhe në video, nipi më tregon se si e ka grushtuar ky kamarier. Unë kam qenë në pjesën e poshtme dhe kam reagu menjëherë, ka dhe dëshmitarë që e kanë parë këtë rast. Kam reaguar dhe kam vepruar në afekt! Mirëpo, nipi siç e thashë ishte veç 14 vjeç, megjithatë kjo nuk e arsyeton veprimin tim, por në atë moment, m’u dukë se m’u shembë bota në kokë. Megjithatë, me familjen e kamarierit kemi biseduar dhe jemi marrë vesh.

Unë nuk e di se kujt i shërben ky publikim i kësaj videoje. Nëse është qëllimi i krijimit të hasmërive atëherë është e ulët, e pamoralshme! Kërkojë ndjesë publike, familjes, shokëve e miqve, klientëve për këtë shqetësim të krijuar të panevojshëm dhe të paarsyeshem! Me respektin më të madh, Burimi