Prorektores që tha se studentet me “veshje provokative” nxisin ngacmime seksuale i kërkohet dorëheqja

Prorektorja e cila është edhe profesor asistent në Stomatologji degë në Fakultetin e Mjekësisë në UP, ka përdorur bagazhin e saj akademik në fushën e Stomatologjisë, për të dhënë një diagnozë psikologjike mbi ndikimin e veshjeve provokative në mendjen e burrave. Rrjeti Grave e konsideron shokuese një qasje të tillë.

Prorektores që tha se studentet me “veshje provokative” nxisin ngacmime seksuale i kërkohet dorëheqja

“Këshilla” e Prorektores Teuta Pustina-Krasniqi që gratë të mos vishen në mënyrë provokative, për t’iu shmangur ngacmimeve seksuale në institucione arsimore, po shihet nga koleget e saj dhe aktivistet e të drejtave të grave si deklaratë fyese.

“Por, një porosi, do të thotë edhe gjinisë femërore, studenteve, stafit akademik, stafit adminsitrativ, i apeloj që mos të, mos të provokojnë, mos të vishen në mënyrë provokative”, tha Pustina-Krasniqi duke folur për emisionin “Frontal” n’T7  në një storie për ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës.

Prorektorja e cila është edhe profesoreshë në Stomatologji degë në Fakultetin e Mjekësisë në UP, ka përdorur bagazhin e saj akademik në fushën e Stomatologjisë, për të dhënë një diagnozë psikologjike  mbi ndikimin e veshjeve provokative në mendjen e burrave.

“Sepse ky është një efekt psikologjik, tash po flas nga fusha e mjeksësisë sepse vet vij prej asaj fushe… Është një efekt psikologjik i cili mund të ndikojë shumë negativisht , do të thotë në rrethin ku ai student ose ajo studente, kryen ushtrimet, kryen ligjëratat etj etj”, konstaton Prorektorja.

Teksa fill pas këtij konstatimi, sipërfaqësisht potencon faktin se “asgjë nuk e arsyeton ngacmimin seksual”, menjëherë i kthehet apelit ndaj studenteve që ta kenë parasysh se janë pjesë e një sistemi arsimor ku janë profesorë e asistentë që kryjenë punë serioze.

“Megjithatë i apeloj vajzat e reja që të mos harrojnë se janë pjesë e një institucioni shumë serioz ku kryhen ushtrime dhe ligjërata nga profesorë dhe asistent prandaj edhe duhet ta respektojnë kodin e veshjen”, thotë prorektorja Pustina-Krasniqi.

Marrë nga t7

Një qasje e tillë ndaj ngacmimeve seksuale për kolegën e Pustina-Krasniqit nga Fakulteti Filozofik, departamenti i Sociologjisë, siciologia Linda Gusia, është “një deklaratë mizogjene dhe shumë problematike, sidomos kur vjen prej dikujt, prej një pozitë siç është Prorektorja Pustina”.

“Mendoj që është deklaratë mizogjene dhe shumë problematike, sidomos kur vjen prej dikujt, prej një pozitë siç është Prorektorja Pustina, sepse tregon për mungesë të korrektësisë politike dhe informimit minimal, me kuptu se çka ka bërë kjo në literaturën shkencore që 30 vite quhet fajësimi i viktimës”, ka thënë Gusia.

E pikërisht për shkak të pozitës së lartë në Universitetin e Prishtinës dhe një deklarimi të tillë, ka fyer Rrjetin e Grave të Kosovës që e kanë cilësuar si “deklarata të turpshme”.

Madje për drejtuesen e Rrjetit, deklarata e Prorektores është shokuese.

“Unë fillimisht nuk po mundem me besu, se qysh një grua mundet me thanë një gjë të tillë, e dyta veç nëse ka qenë e shtyrë nga të gjithë ata dhunues brenda Universitetit të cilët bëjnë ngacmime seksuale, të cilët kushtëzojnë shumë gjera përmes ngacmimeve seksuale brenda Universitetit”, tha për Insajderin, Igballe Rugova.

“Kumtesa të tilla si të saj kanë thënë gjithmonë ato gra dhe ata burra që dëshirojnë me fsheh fajin, që dëshirojnë me fsheh dukurinë e ngacmimeve seksuale. Unë nuk jam vetëm një organizatë e rrjetit të grave, unë jam 126 organizata, dhe nesër do ta shikojmë këtë edhe me bordin, dhe pas bisedave me bordin mendoj që duhet me kërku edhe dorëheqjen e saj”, shtoi Rugova.

E për sociologen Gusia, në kohën kur ka filluar beteja globale kundër ngacmimeve seksuale, tendenca e Prorektores për Zhvillim dhe Cilësi në Universitetin e Prishtinës, që “me e fajësu viktimën dhe me ardhë kësi fajësimi i viktimës prej Prorektorës është përtej zhgënjyese”.

“Sikur të kish thanë këtë deklaratë dikush që shet patate në pazar e kishim kuptu, sepse në një vend të tillë ashtu është mendësia patriarkale dhe mentaliteti seksist që të shtinë me mëndu se gratë kanë faj pse marrin fryme, dhe kanë faj edhe kur i ngucin burrat edhe kur i rrahin, edhe kur i abuzojnë dhe asnjëherë nuk është faji u burrave. Ajo çfarë është çuditëse është se dikush në pozitën e saj e ka aq thellë të përvetësuar të përvetësuar atë mendësie seksiste”, ka përfunduar Gusia.

Në anën tjetër Proektorja nuk ka komentuar këtë deklaratë të sajën. /Insajderi.com