Ministri milioner refuzon pagën me rritje

Ministri milioner refuzon pagën me rritje

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj që është duke u përballur me drejtësinë për shkak se dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare ka refuzuar ngritjen e pagës nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, raporton Insajderi

Beqaj që kishte qenë protagonist në hulumtimin e Insajderit “Dosja e Shefave”, nuk e ka dërguar listën e pagave, në Ministrinë e Administratës Publike, me rritje ashtu siç ka vendosur shefi i qeverisë, Ramush Haradinaj.

Besim Beqaj afro një muaj më parë në Agjencinë Kundër Korrupsionit kishte deklaruar pasuri multimilionëshe, para se ta refuzonte ngritjen e pagës nga Haradinaj.

Pasuria multimilionëshe e ministrit të PDK-së – Qindra mijëra euro para ‘cash’ nëpër banka

Vetëm si pasuri të paluajtshme Beqaj kishte deklaruar se ka mbi 2 milionë e 482 mijë euro, duke përfshirë shtëpi, objekte afariste dhe tokë.

Ministri i cili është duke u akuzuar për keqpërdorim të detyrës ka deklaruar se në xhirollogarinë e tij ka ‘paluar’ shumën prej 171 mijë e 500 euro.

Ndërsa ministri po ashtu kishte deklaruar se posedon dy vetura, vlerën e të cilave ai ka thënë se është prej 37 mijë e 500 eurove.

Përveç Beqajt rritjen e pagave e ka refuzuar edhe dy ministra të tjerë nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza dhe Abelard Tahiri, ndërsa shefit të tij nuk i është bindur as Rrustem Berisha i cili Haradinajn e ka edhe shef të partisë.

Kujtojmë se Beqaj sipas aktakuzës, dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke bashkëpunuar në mes  të akuzuarve të tjerë duke iu dhënë privilegje dhe përparësi të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar./Insajderi.com