Protesta e mbrëmshme në Serbi: Lëndohen protestues e policë

Një paralajmërim i presidentit serb në orët e vona se e ka ndërmend t’i bëjë masat më rigoroze për shkak të COVID-19, ka mjaftuar për qytetarët serbë për të dalur në protestë. Protestë që u tentua të shuhet nga policia, por që u kthye në një event të dhunshëm.

Protesta e mbrëmshme në Serbi: Lëndohen protestues e policë

Janë lënduar disa persona, mes tyre protestues e policë, në protestën e mbrëmshme në Serbi, njofton Insajderi.

Siç shkruajnë mediat serbe, shërbimi spitalor ka njoftuar se në protestën që eskaloi mbrëmë dhe që arriti të shpërndahet vetëm në orët e mëngjesit të sotëm, janë lënduar disa persona.

Në mes të lënduarve ka nga protestuesit, por edhe nga radhët e policisë.

Megjithatë, numri i saktë i të lënduarve ende nuk dihet.

protest

 

Çfarë ndodhi mbrëmë?

Protesta filloi menjëherë pas shpalljes së masave të reja të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili njoftoi edhe shtetrrethim nga e premtja, në mënyrë që të ndalohet përhapja e COVID-19.

Fillimisht protestuesit u mblodhën rreth parlamentit të Serbisë, duke brohoritur në shenjë proteste dhe duke ndezur pishtarë.

Më pas policia ka ndërhyrë për ta shpërndarë turmën dhe ka filluar ballafaqimi në mes të protestuesve e policisë.

Policia hyri në mes të protestuesve me kamionë e topa uji duke provuar shpërndarjen e cila kishte sukses vetëm përkohësisht.

Forcat e rendit më pas përdoren edhe gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën.

Turma u shpërnda, por vetëm pas pak minutash është rigrupuar dhe është kthyer tek kuvendi serb.

Protestuesit filluan të hedhin gurë, shishe të qelqta dhe mjete të forta në drejtim të policisë.

Gjithashtu u thyen edhe shenja të trafikut para kuvendit serb.

protest skupština

Kush e organizoi protestën?

Protestën nuk e ka organizuar zyrtarisht opozita serbe, por e ka përkrahur atë, duke e bërë qeverinë fajtore për vdekjet e shumta që ndodhën në Serbi nga COVID-19 vetëm në ditën e fundit.

Por, kryeministrja Ana Brnabiq, ka akuzuar direkt opozitën.

Ka thënë se ata nuk mundën ta fitojnë parlamentin me vota, prandaj tash po mundohen ta uzurpojnë atë me dhunë.

Njëjtë ka reaguar edhe partneri i koalicionit, Ivica Daçiq, i cili tha se presidenti Vuçiq i kërkoi opozitës bashkëpunim në këto kohëra të vështira të pandemisë, ndërsa ata ia kthyen në këtë mënyrë.

Kjo pakënaqësi qytetare me pushtetin, vjen vetëm pak ditë pas fitores bindëse që Vuçiq pati në zgjedhjet e fundit./Insajderi.com