“Qeveria infektive”

Protestat nuk janë burim infeksioni, por mosbesimi në këtë Qeveri, thotë Haki Abazi

Protestat nuk janë burim infeksioni, por mosbesimi në këtë Qeveri, thotë Haki Abazi

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës në Qeverinë Kurti, Haki Abazi, e shpërndau në profilin e tij në Facebook një “party” në Cyrih, e mbajtur në vitin 2019, duke menduar se fotoja tregonte një protestë në Berlin.

Më vonë u kuptua se fotografia përbënte një gabim. Por, sipas Abazit ideja s’ishte te saktësia gjeografike, sa te mesazhi që përçonte ajo, ku shihej një turmë e madhe njerëzish të grumbulluar në sheshe.

Ngatërrimi i Abazit u komentua shumë, por ai, në një prononcim me shkrim për Gazetën Online Insajderi, shpjegon pse s’duhet të fokusohemi shumë tek vendi, por tek imazhi i njerëzve që mbulojnë rrugët.

“Në postimin tim kam reflektuar se sa është i rëndësishëm aktivizimi qytetar dhe protesta si mjet demokratik për të artikuluar zërin dhe kërkesat qytetare”, thotë Abazi.

Por, një thirrje për grumbullim në rrugë, në këtë kohë, kur qeveria e ka bërë të ndaluar tubimin e njerëzve, si masë kundër përhapjes së COVID-19, mund të tingëllojë si thirrje për shkeljen e masave.

Gjithsesi, Abazi nuk e sheh ashtu. Thotë se nuk janë protestat që përbëjnë rrezik, por vetë institucionet qeveritare, që për anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje janë “ilegale dhe ilegjitime”.

“Protesta janë duke u mbajtur gjithandej, ato nuk janë burim infeksioni se mbahen në hapësira të hapura dhe në distancë dhe rreziku vjen nga mosbesimi në institucionet ilegale dhe ilegjitime dhe paaftësia  e tyre për të menaxhuar me situatën e cila është e qartë si kristali se kemi të bëjmë me një qeveri pa besim qytetar, e cila po vrapon pas parave dhe kapjes së shtetit tutje” deklaron Abazi.

Ish numri dy i qeverisë së kaluar, fajtorë për gjendjen e tanishme me virus i bën pasardhësit e tij në kryeministri.

“Shembja e rendit kushtetues e demokratik nga akterët e papërgjegjshëm politik në mes të pandemisë duke rrëzuar qeverinë legjitime, ka rrezikuar konkretisht shëndetin e qytetarëve. Dhe po rrezikon skajshmërisht funksionalitetin e institucioneve vitale dhe gjithashtu është futur në aventura anti-kushtetuese me dialogun”, ka përfunduar ai. /Insajderi.com/