Protestuesit e Hong Kongut përkrahin ujgurët myslimanë

Protestuesit e Hong Kongut përkrahin ujgurët myslimanë

Policia në Hong Kong e ka shpërndarë me forcë një grumbull të protestuesve që kishin dalë në qendër të qytetit për ta përkrahur pakicën ujgure të Kinës.

Dhjetëra policë u shpërndanë nëpër një shesh publik për t’i shpërndarë protestuesit që hidhnin shishe xhami dhe gurë në drejtim të forcave të sigurisë.

Më herët gjatë pasdites, më shumë se një mijë persona e mbajtën një tubim të qetë me flamuj dhe postere ujgure. Kjo protestë ishte pjesë e vargut të kryengritjeve që kanë filluar para më shumë se gjashtë muajve.

Një grumbull i përzier me persona të moshës së re dhe të vjetër, të veshur me rroba të zeza dhe maska për ta fshehur identitetin, mbante në duar pankarta, në të cilat shkruhej: “Ujgurë të lirë, Hong Kong i lirë”, dhe “Autonomia e rremë e Kinës sjell gjenocid”.

Kjo protestë erdhi pasi mesfushori i Arsenalit, Mesut Ozil, nxiti reagime të ashpra në Kinë, kur i kritikoi politikat e këtij vendi sa i përket trajtimit të pakicës ujgure në rajonin e skajshëm veriperëndimor, Xinjiang.

Sipas ekspertëve të Kombeve të Bashkuara, së paku një milion ujgurë dhe pjesëtarë të pakicave të tjera myslimane janë mbyllur në kampet kineze që nga viti 2017 si pjesë e një fushate që është dënuar nga Shtetet e Bashkuara, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.