PSD me aksion para MSh-së, kërkon dorëheqjen e Vitisë

PSD me aksion para MSh-së, kërkon dorëheqjen e Vitisë

Partia Socialdemokrate ka zhvilluar aksion simbolik para Ministrisë së Shëndetësisë të mërkurën, përmes së cilit ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të këtij dikasteri, Arben Vitia, njofton Insajderi.

Para objektit të ministrisë, aktivistë të kësaj partie kanë vendosur një shiringë ku shkruhej “dorëheqje”.

Sipas tyre, ministria Arben Vitia duhet të dorëhiqet “pasi ka dështuar në menaxhimin e pandemisë dhe sigurimin e vaksinave”.

Nol Nushi nga PSD-ja, para mediave tha se përveç mungesës së vaksinave, në Kosovë janë akoma në fuqi “masat e çuditshme”, për të cilat tha se po i shkelin vetë krerët e institucioneve.

“Qeveria e Kosovës ende nuk e ka blerë asnjë vaksinë, të gjitha janë nga vullneti i mirë i organizatave, prandaj ne si sot e kemi sjellë dozën e parë të vaksinës së dorëheqjes që ta marrë sa më parë dhe të reflektojë sepse puna e tij në këtë ministri është zero. Qeveria ka premtuar se deri në fund të vitit do të vaksinojë 60 për qind të qytetarëve, por tempoja e vaksinimit është shumë e ulët. Po ashtu kemi masa të çuditshme, të cilat vetë ata po i shkelin, sikur mbrëmë për iftar që u mblodhën kryeministri, presidentja e kryeparlamentari”, theksoi Nushi./Insajderi.com