PSD vendos flamuj të zi në rrugët e Prishtinës si kujtim për gratë e vrara

PSD vendos flamuj të zi në rrugët e Prishtinës si kujtim për gratë e vrara

Partia Socialdemkrate e Kosovës ka zhvilluar një aksion simbolik me moton “Homazhe për gratë e vrame”, transmeton Insajderi.

Në këtë aksion janë vendosur flamuj të zi afër Fakultetit së Filologjisë në Prishtinë.

“Vrasjet e grave janë të paralajmëruara. Ato nuk janë vrasje në afekt, por dhunë e shfrytëzim sistematik që kulmojnë me vrasje. Kur fjala ‘neglizhencë’ përshkruan mosveprimin institucional, dihet që është gjuhë e zbutur për pjesëmarrje në vrasje. Patriarkati bashkëjeton me strukturën shfrytëzuese ekonomike dhe rendit represiv. Kufizimet dhe kushtëzimet që i vendosen gruas gjatë jetës janë po të njëjtat që në fund e vrasin”, thuhet në komunikatën e PSD-së.

“Sa herë dëgjojmë që një burrë ka vrarë gruan, duhet ta dijmë se aty ka pasur një luftë të gjatë, të mundimshme, se aty ka pasur shtypje e shfrytëzim. Secila krismë plumbi le si evidencë privilegje të cenuara të burrit, cenim të pushtetit. Sa herë trupi i pajetë i gruas shtrihet në dysheme, duhet nënkuptuar që aty është një histori rezistence”.

“Këto qëndresa individuale duhet t’i bashkojmë dhe t’i kthejmë në dije që formojnë dhe organizojnë bashkësi politike. Gratë që janë të privuara nga organizimi aktiv dhe nga pjesëmarrja në sferën publike duhet të jenë pjesë e diskursit dhe organizimit feminist”.

“Nuk guxojmë që aktivitetin tonë dhe ndjeshmëritë për çështje të definohen nga përjetimet tona, të ndryshme nga ato të grave që nuk janë më. Përvojat tona mund të jenë të ndryshme, por lufta është e përbashkët”, thuhet në njoftimin e kësaj partie. /Insajderi.com