Pse e nënshkroi ministrja Hoxha kontratën për “hesape” të Kadri Veselit?

Pse e nënshkroi ministrja Hoxha kontratën për “hesape” të Kadri Veselit?

Ministria e Integrimit Evropian insiston të mos flasë për kontratën me kompaninë lobuese “Madison Global Strategies”, për të cilën sipas firmës amerikane, përgjegjës do të jetë Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Ministria ka folur dje për me kontratën me kompaninë lobuese nga SHBA-ja “Madison Global Strategies LLC”, mirëpo nuk e kanë thënë asnjë fjalë lidhur me përfshirjen e emrit të Kadri Veselit në këtë marrëveshje.

Gazeta Insajderi i ka dërguar sot pyetje Ministrisë së Integrimit Evropian për të kërkuar sqarime lidhur me përfshirjen e Kadri Veselit në këtë kontratë dhe për rolin që kryetari i Kuvendit të Kosovës mund të këtë në marrëveshjen e arritur mes Ministrisë dhe “Madison Global Strategies, LLC”.

Mirëpo, Ministria e udhëhequr nga Dhurata Hoxha nuk ka kthyer përgjigje për përgjegjësitë e Kadri Veselit në këtë kontratë dhe mundësisë së shkeljes së ligjit për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushteteve.

Gazeta nuk ka arritur të marrë përgjigje as nga Zyra e Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, megjithëse ka nisur pyetje në adresë të këtij institucioni mëngjesin e së hënës.

Ani pse Ministria e Integrimit Evropian e paraqiti këtë kontratë si përpjekje e qeverisë për të forcuar pozitat e Kosovës brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, firma nga e cila ka zgjedhur të këshillohet thotë se do të kryejë punë të tjera.

Kontrata të cilën Hoxha e lidhi me kompaninë amerikane “Madison Global Strategies” për shërbime të konsulencës, përfshin edhe këshillim në favor të Ministrisë e takime me anëtarë të Kongresit dhe të Administratës Trump.

Kurse në shkresat e kontratës, të cilat kompania është e obliguar t’i raportojë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Insajderi ka parë se aty figuron edhe emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Sipas të dhënave të kontratës, e cila vlen 153 mijë euro, institucioni të cilin do ta përfaqësojë firma lobuese “Madison Global Strategies, LLC”, është Ministria e Integrimeve Evropiane, mirëpo emri i zyrtarit me të cilin “do të merret vesh regjistruesi [firma]” është Kadri Veseli.

Ky detaj i paraqitur në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) – pranë Departamentit Amerikan të Shtetit – nga firma amerikane “Madison Global Strategies, LLC”, shkakton ndërhyrje mes pushteteve legjislative dhe ekzekutive në vend. /Insajderi.com

Linku i hulumtimit:

Ministrja Hoxha i jep kontratë biznesmenit amerikan të përfshirë në “skandalin me rusë” të PD-së