Pse e refuzoi Haradinaj ftesën e Kurtit

Pse e refuzoi Haradinaj ftesën e Kurtit

Ramush Haradinaj ka refuzuar sot ftesën e Kryeministrit Albin Kurti për një takim urgjent lidhur me heqjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës me arsyen se kjo kërkesë tashmë është e tejkaluar.

Në letrën e siguruar nga Gazeta Insajderi, ku Haradinaj ia kthen Kurtit, Haradinaj është shprehur se ai disa herë në mënyrë publike ka kërkuar kujdes lidhur me këtë çështje.

“Unë u jam drejtuar disa herë me letra publike duke kërkuar kujdes dhe përgjegjësi për temën e tarifës 100 %. Ju nuk keni gjetur as kohë as mundësi për një takim lidhur me vendimin më të rëndësishëm, prandaj një takim i kërkuar prej jush pas vendimit për taksën, do të bëhej sa për sy e faqe e pa asnjë efekt”, thuhet në letrën e Haradinaj kthyer Kurtit.

Tutje përmes kësaj letre Haradinaj i ka thënë Kurtit që pas konferencës së djeshme rrugët e tyre janë ndarë.

“Pas konferencës së djeshme, rrugët tona për këtë temë ndahen. Do tu mbajmë përgjegjës që pa kushte e pa vizion politik, po e ktheni Serbinë në tregun e Kosovës, që për mua është okupim klasik ekonomik i Kosovës. Nga dorëzimi i tashëm përballë presioneve të vogla druaj që në etapa të mëvonshme, ju do ta rrezikoni të ardhmen e vendit edhe më shumë prandaj detyrë e jona është tu pengojmë në këtë rrugë”, thuhet në përfunim të kësaj letre.

Kryeministri, Albin Kurti përmes një konference të jashtëzakonshme për media gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se më 15 mars do të marr vendim për heqjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Taksa 100 përqind e kishte vendosur, Ramush Haradinaj gjatë kohës kur ai ishte kryeministër i vendit në nëntor të vitit 2018. /Insajderi.com