Pse Kosova befasoi Lituaninë në pjesën e parë? Flet trajneri Adomaitis

Pse Kosova befasoi Lituaninë në pjesën e parë? Flet trajneri Adomaitis

Trajneri i kombëtares së Lituanisë, Dainius Adomaitis ka shpjeguar pse Lituania hasi në vështirësi ndaj Kosovës në pjesën e parë të takimit që u zhvillua të premtën në Prishtinë.

Adomaitis ka thënë se skuadra e tij zhvilloi lojë të mirë vetëm në pjesën e dytë të takimit ndaj Kosovës – të vlefshëm për kualifikueset e Kampionatit Botëror.

“Unë mendoj se në pjesën e parë të lojës kemi bërë shumë gabime në mbrojtje. Ndoshta nervozizmi ishte pasojë. Në pjesën e parë ne nuk bëmë faulle kur duhej t’i bënim ato, por i bëmë kur ishim futur në bonus. Ata i shfrytëzuan këto gabime. Por, në pjesën e dytë u përmirësuam në lojë dhe arritëm qëllimin”, deklaroi ai, raporton Insajderi.

Trajneri i Lituanisë foli edhe për atmosferën e krijuar nga tifozët e Kosovës, Dardanët. Tha se ishin përgatitur për t’u ballafaquar edhe me presionin psikologjik.

“Po, atmosfera ishte e nxehtë, edhe pse ishim përgatitur në mënyra të ndryshme. Ishim të gatshëm dhe e dinim se me mbrojtjen tonë ne mund të kontrollonim takimin dhe spektatorët. Kjo është ajo që patë në pjesën e dytë”, deklaroi Adomaitis. /Insajderi.com